Në superformë për Botërorin, Michael Olise shënon tregolëshin e parë me Francën

Michael Olise ishte heroi i Francës në triumfin 3-1 ndaj Irlandës së Veriut, duke realizuar tregolëshin e tij të parë me kombëtaren në ndeshjen e fundit në shtëpi të trajnerit Didier Deschamps.

Pas disa rasteve të mira të krijuara nga vendasit, zhbllokimi i rezultatit erdhi në fundin e pjesës së parë.

Olise përfitoi nga një top i devijuar pas goditjes së Ousmane Dembélé-së dhe shënoi nga afër për t’i dhënë avantazhin Francës.

Irlanda e Veriut mendoi se kishte barazuar në kohën shtesë të fraksionit të parë, por goli u anulua për faull në ndërtimin e aksionit.

Vetëm katër minuta pas rifillimit të lojës, Michael Olise goditi sërish, duke dyfishuar epërsinë e francezëve.

Megjithatë, miqtë reaguan dhe rikthyen emocionet në takim, kur Patrick Kelly shënoi golin e tij të parë me kombëtaren pas asistit të Shea Charles-it.

Me rezultatin ende të hapur, ylli i Bayernit vulosi fitoren e Francës me një goditje të bukur nga distanca, duke kompletuar tregolëshin e parë me fanellën e “Gjelave” dhe duke e çuar në shtatë numrin e golave të tij me përfaqësuesen.

Falë këtij suksesi, Franca zgjati në shtatë ndeshje serinë pa humbje ndaj Irlandës së Veriut, duke regjistruar pesë fitore dhe dy barazime.