Zyrtare/ Alessandro Nesta emërohet trajner i skuadrës italiane

Avellino ka zyrtarizuar Alessandro Nestën si trajnerin e ri të skuadrës për sezonin 2026/2027. Klubi italian bëri të ditur se ish-mbrojtësi legjendar i Italisë ka firmosur një kontratë që do ta mbajë në pankinë deri më 30 qershor 2028.

Në komunikatën zyrtare, Avellino shprehu kënaqësinë për marrëveshjen me teknikun 50-vjeçar, i cili do të nisë një tjetër aventurë në karrierën e tij si trajner.

I lindur në Romë më 19 mars 1976, Nesta e nisi rrugëtimin si trajner në Miami, në Shtetet e Bashkuara, ku drejtoi skuadrën amerikane për tri sezone. Më pas ai u rikthye në Itali, duke nisur eksperiencën në futbollin italian me Perugia-n në Serie B gjatë sezonit 2018/19.

Gjatë karrierës së tij në pankinë, ish-mbrojtësi i Milanit dhe Lazios ka drejtuar gjithashtu Frosinonen, Reggianan dhe Monzën, duke fituar përvojë si në Serie B, ashtu edhe në Serie A. Në total, Nesta numëron 192 ndeshje si trajner në kampionat, Kupën e Italisë dhe “playoff”-et e Serie B.

Klubi bëri të ditur edhe përbërjen e stafit teknik që do të shoqërojë Nestën nga 1 korriku 2026. Lorenzo Rubinacci do të jetë zëvendëstrajner, ndërsa Massimo Lo Monaco dhe Vincenzo Varrica do të jenë bashkëpunëtorët teknikë. Luca Morellini do të kujdeset për përgatitjen atletike, Raffaele Clemente do të jetë trajner i portierëve, ndërsa Federico Soldano do të mbulojë rolin e analistit të ndeshjeve.

Prezantimi zyrtar i trajnerit të ri do të zhvillohet më 10 qershor në sallën e konferencave të stadiumit “Partenio-Lombardi”.