Florentino Perez pret Papa Leonin XIV në ‘Bernabeu’, i dhuron fanellën e Real Madridit

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, priti këtë të hënë Papa Leonin XIV në stadiumin “Santiago Bernabeu”, në kuadër të vizitës apostolike të Atit të Shenjtë në Madrid.

Takimi u zhvillua gjatë aktivitetit me komunitetin dioqezan të Madridit, që konsiderohet edhe eventi më i madh i kësaj vizite, ku në stadium ishin të pranishëm mbi 70 mijë besimtarë.

Florentino Perez, i rizgjedhur së fundmi në krye të klubit madrilen, shërbeu si mikpritës i Papës në ambientet e stadiumit. Një nga momentet më të veçanta ishte vizita në sallën e trofeve të Real Madridit, ku Papa Leoni XIV pa nga afër edhe 15 trofetë e Champions League të klubit spanjoll.

Si shenjë mirëseardhjeje, presidenti i Realit i dhuroi Papës një fanellë të personalizuar të skuadrës madrilene me emrin e tij të lindjes, Robert F. Prevost, dhe numrin 1 në shpinë. Përveç fanellës, Perez i dhuroi gjithashtu një miniaturë të stadiumit “Santiago Bernabeu”.

Nga ana tjetër, Papa Leoni XIV ia ktheu nderin presidentit të Real Madridit duke i dhuruar një medalje përkujtimore, në një shkëmbim simbolik dhuratash që vulosi takimin mes klubit madrilen dhe Atit të Shenjtë në një prej stadiumeve më ikonike të botës.