‘Zvërneci’/ Bardhi ‘mesazh’ Ramës: Ti e fute Iranin në këtë debat, shpike komplot me iranianë!
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është drejtuar me një mesazh kryeministrit Edi Rama, duke i thënë se ai nuk e ka problem as të ‘flirtojë’ me Iranin për të qëndruar në pushtet.
Komentet, Bardhi i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, duke iu referuar replikave në distancë mes kryeministrit Rama dhe zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, lidhur me ndikimin e Iranit në protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec.
Bardhi shkruan se ishte Rama ai që e futi Iranin në këtë debat, pasi sipas tij, kryeministri shpiku komplotin me iranianë, për të kundërshtuar investimin në Zvërnec.
Duke thënë se kryeministri shpik armiq imagjinarë për të qëndruar në pushtet, Bardhi thekson se Rama nuk ndryshon nga regjimi i Ajatollahëve të Iranit, në raportin që ai ka me pushtetin.
Reagim i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi:
Oh, really? Vërtet i di shqiptarët kaq budallenj? Nuk ka asgjë të papritur këtu. Iranin në këtë debat e fute ti.
Ti akuzove protestuesit.
Ti shpike komplotin me iranianë.
Ti e kërkove këtë reagim.
Tani, nuk besoj se ka mbetur njeri me dyshime se për karrigen tënde nuk njeh as kufij dhe as pasoja. Ti po provon se për karrigen tënde nuk e ke problem madje as të flirtosh me Iranin.
E vërteta është se nuk ndryshon nga ajatollahët në raportin që ke me pushtetin. Kush nuk të bindet, shpallet armik.
Protestuesit armiq.
Opozitarët armiq.
Fqinjët armiq.
Europianët armiq.
Influencerët armiq.
Sot Shqipëria ka vetëm një armik. Quhet Edi Rama. Dhe ka ardhur koha të largohet.