Yamal zbulon arsyen e fashës në dorë: Godita televizorin, më pas u ndjeva si Benzema
Lamine Yamal ka zbuluar më në fund historinë pas një prej detajeve më të veçanta të pamjes së tij në fushë: fashës në dorë, që është bërë tashmë pjesë e identitetit të tij si me Barcelonën, ashtu edhe me kombëtaren e Spanjës.
Talenti 18-vjeçar tregoi me humor se gjithçka nisi pas një incidenti të pazakontë në shtëpi. Gjatë një videoje në kanalin e tij në YouTube, Yamal shpjegoi se kishte goditur televizorin teksa luante PlayStation.
“Isha duke luajtur PlayStation dhe i dhashë një grusht televizorit”, tha ai duke qeshur. “Që nga ai moment fillova ta fashoja dorën dhe më pëlqeu shumë. Ndihesha mirë, sikur të isha Karim Benzema.”
Një episod i rastësishëm u kthye kështu në një element të përhershëm të imazhit të sulmuesit të Barcelonës, i cili po bëhet gjithnjë e më shumë një nga protagonistët kryesorë të futbollit europian.
Fasha në dorë fillimisht u përdor për shkak të dëmtimit, por me kalimin e kohës u kthye në një simbol dallues të Yamalit, aq sa tashmë tifozët e identifikojnë menjëherë sa herë zbret në fushë.
Në vitet e fundit edhe lojtarë të tjerë të Barcelonës si Robert Lewandowski, Gavi dhe Raphinha janë parë me fashime të ngjashme në duar, zakonisht për arsye fizike ose parandaluese. Megjithatë, historia e Yamalit rezulton shumë më e pazakontë dhe argëtuese.