Mourinho merr vendimin e parë te Reali, lojtari francez nuk është në merkato
Pas rizgjedhjes së Florentino Perezit në krye të Real Madridit deri në vitin 2030, klubi madrilen ka nisur menjëherë ndërtimin e projektit të ri sportiv, me rikthimin e José Mourinhos në pankinë si lëvizjen më të bujshme të momentit.
“Special One” pritet të nisë një tjetër aventurë në “Santiago Bernabeu”, ku drejtuesit kanë përgatitur një plan ambicioz për përforcime të nivelit të lartë. Emra si Denzel Dumfries dhe Ibrahima Konaté janë përmendur si objektiva të mundshëm, ndërsa në listë figuron edhe një goditje e madhe prej 150 milionë eurosh për një lojtar ende të paidentifikuar, me emra si Michael Olise, Vitinha, Joao Neves dhe Julian Alvarez që qarkullojnë në media.
Paralelisht me afrimet, Reali po punon edhe për stabilizimin e skuadrës aktuale. Rinovimi i Antonio Rüdiger-it thuhet se është thuajse i mbyllur, ndërsa largimi i Dani Ceballo-s drejt Ajaxit duket gjithnjë e më i mundshëm.
Megjithatë, vëmendja kryesore është te Aurélien Tchouameni. Mesfushori francez, i cili ka zhvilluar 49 ndeshje këtë sezon në të gjitha kompeticionet, konsiderohet një element kyç në projektin e ri të klubit. Pavarësisht interesimit nga disa klube të Premier League, përfshirë Manchester United dhe Liverpool, e ardhmja e tij duket e sigurt në Madrid.
Sipas “The Sun”, Mourinho ka marrë vendimin e parë të rëndësishëm në projektin e tij: Tchouameni nuk është në shitje. Trajneri portugez e konsideron mesfushorin francez një pjesë thelbësore të skuadrës dhe ka kërkuar që ai të jetë qendror në skemën e re taktike.
Kontrata e Tchouameni me Realin është e vlefshme deri në vitin 2028, ndërsa vendimi i Mourinhos mbyll për momentin çdo diskutim për largimin e tij dhe forcon idenë e një mesfushe të ndërtuar rreth tij në sezonet e ardhshme.