Të paktën 35 të vdekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Filipinet jugore
Të paktën 35 persona kanë humbur jetën, pasi një tërmet me magnitudë 7.8 ballë të Rihterit goditi brigjet e ishullit Mindanao në Filipinet jugore, thonë zyrtarët.
Tërmeti ra në orën 07:37 sipas orës lokale të hënën (e diel 23:37 GMT), duke shkaktuar alarme për cunami në Filipine, Indonezi, Japoni dhe Australi. Paralajmërimet u anuluan ose u ulën në nivelin e tyre disa orë më vonë.
Videot dhe imazhet treguan ndërtesa që po shembeshin, përfshirë një restorant ushqimi të shpejtë Jollibee të shndërruar në rrënoja, ndërsa janë regjistruar edhe rrëshqitje toke në disa zona.
Në një përditësim të hënën pasdite, Zyra e Mbrojtjes Civile e vendit tha se 31 nga viktimat ishin regjistruar në Soccsksargen, ndërsa katër të tjerat ishin në Davao.
Zyrtarët në Filipine kanë thënë se të paktën 134 persona janë plagosur dhe rreth 10,000 familje janë zhvendosur.
Autoritetet dhanë një numër të mëparshëm prej 32 të vdekurish, me 12 persona të raportuar të zhdukur.
Mindanao është ishulli i dytë më i madh në Filipine - si në madhësi ashtu edhe në popullsi - dhe është shtëpia e rreth 26 milionë njerëzve.
Shifrat e viktimave ende duhet të verifikohen nga agjencia kombëtare e fatkeqësive, e cila tabelon dhe verifikon raportet nga burime të ndryshme lokale dhe pritet të japë një përditësim zyrtar në ditët në vijim.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., tha në një deklaratë se agjencitë po koordinonin reagimin e tyre ndaj katastrofave.
"Qeveria kombëtare po lëviz dhe ne nuk do ta lëmë pas dore Mindanaon", premtoi ai.
Marcos urdhëroi gjithashtu pezullimin e mësimit në zonat e prekura pas tërmetit, i cili përkoi me ditën e parë të vitit shkollor në Filipine.
Në një video të postuar nga një shkollë fillore në provincën Davao Occidental, dhjetëra nxënës të tmerruar shihen të ulur galiç në tokën që dridhet.
Videoja tregoi gjithashtu një strehë me çati të valëzuar që shembej pas tyre, megjithëse shkolla tha në postimin e saj se askush nuk ishte lënduar.
Më shumë se 130 lëkundje pasuese, me magnitudë që varionin nga 1.3 në 6.7, u regjistruan pas tërmetit fillestar. Një tërmet me magnitudë 5.7 goditi gjithashtu ujin pranë ishullit Balut, Sarangani, rreth orës 22:52 sipas orës lokale.
Tërmetet janë të zakonshme në Filipine, të cilat ndodhen në "unazën e zjarrit" gjeologjikisht të paqëndrueshme. Ndërsa shumica e këtyre tërmeteve janë të vogla dhe kalojnë relativisht paqësisht, disa kanë rezultuar vdekjeprurëse. Shtatorin e kaluar, një tërmet me magnitudë 6.9 goditi rajonin qendror të Visayas, duke vrarë më shumë se 70 persona.
Menjëherë pas tërmetit të hënën në mëngjes, autoritetet në Japoni paralajmëruan për valë cunami një metër të larta që do të arrinin brigjet e saj.
Një valë cunami me madhësi disa centimetra u vu re më vonë në prefekturën jugore të Okinawa-s, ndërsa një valë 20 cm (0.7 ft) u mat në ishujt e largët Ogasawara, thanë autoritetet.
Valë u zbuluan gjithashtu në disa vende përgjatë brigjeve të Indonezisë, Palaut dhe Filipineve. Lartësia e këtyre valëve varionte nga disa centimetra në 1.4 m (4.6 ft), sipas autoriteteve./ BBC.