Trafik droge në shkallë të gjerë/ Shqiptari u tradhtua nga... pllakat e banjës/ EMRI
Një anëtar i një bande kriminale ndihmoi pa dashje në kapjen e vetes përmes një fotografie të dyshemesë së banjës së tij, dëgjoi gjykata.
Klodian Ferizolli u identifikua gjatë një hetimi mbi një grup kriminal shqiptar me bazë në Glasgou të Skocisë, i përfshirë në trafikimin e drogës në shkallë të gjerë.
32-vjeçari, i cili drejtonte një lavazh të frekuentuar makinash dhe ishte drejtor i një kompanie të menaxhimit të pronave, komunikonte me bashkëpunëtorët e tij kriminalë përmes rrjetit të telefonisë së koduar EncroChat, përpara se ai të zbërthehej nga autoritetet në vitin 2020.
Ferizolli, i cili nuk kishte dënime të mëparshme dhe kishte jetuar në Mbretërinë e Bashkuar për 15 vjet, përdorte pseudonimin “smoke-strong”.
Prokurori David Fisken i tha Gjykatës së Lartë në Glasgow:
“Policia arriti ta lidhte pseudonimin ‘smoke-strong’ me Ferizollin përmes një fotografie që ai kishte dërguar në EncroChat, e cila përputhej me modelin e pllakave të dyshemesë së banjës në adresën e tij”.
Ferizolli e përdorte pajisjen e tij të koduar “pothuajse çdo ditë” për të shkëmbyer mesazhe me persona të tjerë nga marsi deri në qershor 2020.
Një nga bisedat kishte të bënte me një pronë ku mund të ngrihej një fabrikë kanabisi për të prodhuar 10 kilogramë drogë.
Një ditë më vonë, Ferizolli i dërgoi një bashkëpunëtori tjetër një fotografi të një sasie të madhe kartëmonedhash të mbështjella në formë rrotulle.
Prokurori Fisken deklaroi gjithashtu se Ferizolli diskutonte për organizimin e transporteve të ngarkesave me kanabis.
Duke përshkruar një tjetër bisedë, prokurori tha: “Një bisedë tjetër mes tij dhe një personi tjetër kishte të bënte me para që i detyroheshin Ferizollit. Në të përfshiheshin lista dhe shifra që arrinin në total 355.350 paund borxhe. Ferizolli konfirmoi se kishte marrë 239.680 paund”.
Gjykata dëgjoi gjithashtu se Ferizolli kishte ofruar t’i shiste kokainë një përdoruesi tjetër të EncroChat me çmimin 39.000 paund për kilogram.
Ferizolli u ndalua nga policia në fund të majit 2020, ndërsa po udhëtonte me makinë në zonën Baillieston të Glasgout.
Ai dha të dhënat e tij personale dhe policët u larguan pa e arrestuar.
Por sipas prokurorit: “Menjëherë pasi policët u larguan, Ferizolli kontaktoi pothuajse menjëherë një bashkëpunëtor në EncroChat duke e informuar se ishte ndaluar nga policia, se telefonin e kishte me vete në atë moment dhe se në makinë kishte 15.000 paund”.
Ferizolli, banues në zonën Mount Vernon të Glasgout, u akuzua zyrtarisht në vitin 2024 pasi autoritetet arritën ta lidhnin me pseudonimin “smoke-strong”.
Ai u deklarua fajtor për akuzën e pjesëmarrjes në krim të rëndë të organizuar.
Deri tani ai ishte lënë i lirë me kusht, por avokati i tij, Paul Nelson, nuk kërkoi vazhdimin e kësaj mase.
Gjykatësi Lord Arthurson urdhëroi paraburgimin e tij, ndërsa caktimi i dënimit u shty për datën 24 korrik në qytetin e Kilmarnock.