VIDEO/ Bakalli: Diaspora është ngritur kundër regjimit, imazhi ndërkombëtar i Ramës është i shkatërruar

Aktivisti i diasporës shqiptare në Kanada, Nador Bakalli, ka lëshuar akuza të forta ndaj Edi Ramës, duke u shprehur se pakënaqësia ndaj qeverisë ka arritur nivele të paprecedenta mes shqiptarëve jashtë vendit dhe se imazhi ndërkombëtar i kreut të qeverisë është në rënie të lirë.

Duke folur nga Kanadaja në ‘Task Forcë’ me Sonila Meçon në SYRI TV, Bakalli hodhi poshtë pretendimet dhe etiketimet që, sipas tij, përdoren nga propaganda qeveritare për të diskredituar reagimin qytetar.

Sipas Bakallit, protesta bashkoi shqiptarë të brezave dhe profileve të ndryshme, nga emigrantë të sapoardhur deri te ata që jetojnë prej dekadash në Kanada.

Pavarësisht zhvillimeve zgjedhore, beteja e diasporës nuk ka përfunduar dhe se shqiptarët jashtë vendit mund të luajnë një rol kyç në ndërkombëtarizimin e situatës politike në Shqipëri.

‘Në qoftë se doja të bëja pak rolin e sharlatanit që bën kryeministri ynë, do të thosha se na kanë organizuar një miks mes grekëve, serbëve, iranianëve, islamistëve dhe diçkaje tjetër, ashtu siç po i jepet kësaj radhe kësaj çështjeje. Por realisht, ajo që e ka organizuar ka qenë thjesht një grup të rinjsh, dy vajza të reja nga Iliria, të cilat u bënë sebep që ne të mblidheshim dhe të realizonim këtë protestë të mrekullueshme.

Na ka organizuar pakënaqësia e madhe që ekziston jo vetëm në komunitetin tonë këtu, por në të gjithë komunitetin shqiptar në diasporë ndaj kësaj qeverisjeje. Unë aty kam parë njerëz që kishin vetëm dy muaj që kishin ardhur në Kanada dhe kam parë njerëz që jetojnë aty prej 35 vitesh, që nga vitet ’90. Të gjithë janë të pakënaqur me këtë sistem. Nuk bëhet fjalë më vetëm për zëra opozitarë; bëhet fjalë për një masë të madhe njerëzish me profile, preferenca politike dhe ideologji të ndryshme, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës ky regjim. Kështu e shpjegoj unë.

Jam shumë i ndërgjegjshëm për këtë. Duke qenë vetë një njeri që është marrë me nismën dhe procesin e votës së diasporës, të them të drejtën më vjen keq për këtë punë. Është bërë një punë e jashtëzakonshme që diasporës t’i jepej mundësia të bëhej katalizator i ndryshimit jetik për Shqipërinë. Por autokrati e mori dhe e keqpërdori, sidomos përmes mitingjeve në Greqi, Itali dhe vende të tjera.

Megjithatë, unë them këtë: në momentin që flasim, ai e ka humbur imazhin e vet ndërkombëtar. Ajo që sot po bën diaspora, edhe pse nuk arriti ta realizojë përmes votës, mbetet shumë e rëndësishme. Procesi është aty; nesër mund të përmirësohet, të rregullohet dhe të bëhet më i fuqishëm. Mundësia për ndryshim do të mbetet.

Ndërkohë, ajo që po ndodh sot është se imazhi i tij në diasporë është i shkatërruar. E them me bindjen më të plotë: është i shkatërruar. Diaspora mund të vazhdojë ndërkombëtarizimin e çështjes, mund të ruajë fokusin te kauza dhe të mos lejojë që diversionet sharlataneske me grekë, serbë apo iranianë të bëhen pjesë e propagandës. Dhe nuk janë bërë.

Diaspora duhet të mbështesë protestën nga të gjitha anët. Lexova sot diku se dikush thoshte që planet e diasporës për këtë verë në Shqipëri nuk do të jenë turistike. Kjo është jashtëzakonisht e fuqishme dhe unë e mbështes, madje jam vetë pjesë e kësaj nisme. Kjo verë nuk duhet të jetë thjesht turistike për diasporën, por duhet të marrë një formë tjetër. Sigurisht, duke kërkuar transparencë.

Mbi të gjitha, kontributi më i madh i diasporës në këtë protestë është krijimi i një kulture ku shqiptarët jashtë vendit të mbeten të angazhuar politikisht me këtë çështje dhe me të tjera. Ka ardhur koha të dalim përfundimisht nga kufijtë e hedhjes së valleve, valëvitjes së flamujve, shqiponjave me gishta apo simboleve të tjera që ne i bëjmë shumë mirë. Ka ardhur koha që angazhimi ynë të jetë më i thellë dhe më i qëndrueshëm’, u shpreh Nador Bakalli në SYRI TV.