Pista e re nga Gjermania, 'Mister 150-milionëshi” i Realit mund të jetë 'ylli' i Atleticos

Reali vazhdon të mbajë të fshehtë identitetin e goditjes së madhe që po përgatit për merkatos e verës, por nga Gjermania ka dalë një pistë e re shumë interesante. Sipas raportimeve të Sky Sport DE, lojtari për të cilin Florentino Perez është gati të ofrojë 150 milionë euro mund të jetë Julian Alvarez i Atletico Madridit.

Presidenti i klubit madrilen kishte deklaruar së fundmi se Reali po përgatit një superofertë për një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit europian. Megjithatë, ai kishte përjashtuar disa emra të përfolur si Erling Haaland, Harry Kane, Michael Olise apo Jeremy Doku.

Perez kishte sqaruar gjithashtu se bëhet fjalë për një futbollist që nuk luan në Premier League, nuk është mbrojtës dhe konsiderohet një “Galaktik”, me ndikim të ngjashëm me ‘yje’ si Cristiano Ronaldo apo Kaka.

Tani mediet gjermane kanë zbuluar se profili që pëlqehet shumë nga drejtuesit e Realit është Julian Alvarez. Sulmuesi argjentinas, aktualisht pjesë e Atleticos, shihet si një prej lojtarëve më të rëndësishëm të së ardhmes dhe gjithashtu është në radarët e Barcelonës.

Lajmi ka shkaktuar habi në Spanjë, duke pasur parasysh rivalitetin e madh mes dy klubeve të Madridit. Megjithatë, sipas raportimeve, Atletico mund të marrë në konsideratë shitjen e sulmuesit nëse mbërrin një ofertë prej 150 milionë eurosh.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e lojtarit kanë mohuar çdo kontakt me Realin. Agjenti i Alvarezit deklaroi për “Mundo Deportivo” se nuk ekziston asnjë negociatë dhe se askush nuk ka kontaktuar me ta deri tani.

Gjithsesi, spekulimet pritet të vazhdojnë në ditët e ardhshme, ndërsa tifozët madrilenë presin të mësojnë se kush fshihet pas “misterit 150 milionë euro”.