Ish-sulmuesi i Liverpoolit dhe Milanit tërhiqet nga futbolli në moshën 31-vjeçare
Sulmuesi belg, Divock Origi, ka vendosur t’i japë fund karrierës si futbollist profesionist në moshën 31-vjeçare. Ish-lojtari i Liverpoolit dhe Milanit e bëri publik lajmin përmes një mesazhi emocional në rrjetet sociale, duke mbyllur kështu një rrugëtim 13-vjeçar në futbollin profesionist.
Origi, i cili u formua në akademinë e Lilës, veshi gjatë karrierës fanellat e Wolfsburgut, Nottingham Forestit dhe Milanit, por periudha më e suksesshme dhe më e paharrueshme mbetet ajo me Liverpoolin, ku luajti nga viti 2014 deri në vitin 2022.
Me “The Reds”, sulmuesi belg regjistroi 175 paraqitje, duke realizuar 41 gola dhe 17 asistime. Emri i tij do të kujtohet gjithmonë për rolin vendimtar në Ligën e Kampioneve sezonin 2018/19. Origi realizoi dy gola në fitoren historike 4-0 ndaj Barcelonës në “Anfield”, duke ndihmuar Liverpoolin të përmbyste humbjen e ndeshjes së parë. Ai shënoi edhe golin që vulosi triumfin ndaj Tottenhamit në finalen e Madridit, duke i dhuruar klubit anglez trofeun europian.
Në palmaresin e tij figuron edhe titulli kampion në Premier League i fituar në vitin 2020. Megjithatë, aventura e tij te Milani nuk rezultoi e suksesshme. Problemet fizike dhe mungesa e hapësirave e penalizuan sulmuesin belg.
Në mesazhin e lamtumirës, Origi falënderoi tifozët, klubet, shokët e skuadrës dhe familjen për mbështetjen gjatë gjithë karrierës.
“E përmbusha misionin tim në futboll. Realizova ëndrrat që kisha si fëmijë, duke luajtur në skenat më prestigjioze dhe duke fituar trofetë më të rëndësishëm”, shkroi ai.
Belgu la të kuptohet se tashmë është gati për një kapitull të ri në jetën e tij: “Misioni u përmbush. Tani po përgatitem të ndjek thirrjen time të ardhshme. Aventurës nuk i ka ardhur fundi”.