Mourinho identifikon problemin te Reali, prioritet rikthimi i sigurisë në mbrojtje
Jose Mourinho ka nisur punën për projektin e ri të Realit, ndërsa trajneri portugez duket se e ka të qartë se ku duhet të ndërhyjë fillimisht skuadra madrilene. Përpara se të mendojë për emra të mëdhenj në mesfushë, tekniku portugez kërkon rikthimin e soliditetit defensiv, që për vite me radhë ishte një prej pikave më të forta të klubit madrilen.
Florentino Perez tashmë ka vënë në lëvizje rindërtimin e skuadrës. Pas rikthimit të Endrick-ut dhe me riblerjen e Nico Paz, që pritet të finalizohet për 9 milionë euro, drejtuesit e Realit po punojnë për një revolucion të thellë në skuadër nën mbikëqyrjen e Mourinhos.
Megjithatë, sipas trajnerit portugez, problemi kryesor nuk është mungesa e kreativitetit në mesfushë, por paqëndrueshmëria në repartin defensiv. Statistikat e fundit e konfirmojnë këtë shqetësim. Reali që fitoi LaLigan dhe Ligën e Kampioneve në sezonin 2023/24 pësoi vetëm 50 gola në 55 ndeshje. Situata ndryshoi ndjeshëm në dy sezonet pasuese, me madrilenët që pësuan 84 gola në 68 ndeshje gjatë sezonit 2024/25 dhe 64 gola në 56 takime në sezonin 2025/26.
Për këtë arsye, Mourinho ka kërkuar afrimin e një qendërmbrojtësi të nivelit të lartë dhe një mbrojtësi të majtë titullar. Objektivi është ndërtimi i një mbrojtjeje më të fortë dhe më të besueshme për një sezon të gjatë e të ngarkuar.
Në listën e dëshirave të trajnerit përmenden emra si Josko Gvardiol dhe Riccardo Calafiori, lojtarë që përshtaten me idenë taktike të portugezit. Ndërkohë, klubi po punon edhe për afrimet e Ibrahima Konate dhe Denzel Dumfries, dy transferime që pritet të zyrtarizohen së shpejti.
Aktualisht, reparti mbrojtës përbëhet nga Trent Alexander-Arnold, Raul Asencio, Carreras, Fran Garcia, Antonio Rudiger dhe Dean Huijsen, ndërsa Eder Militao dhe Ferland Mendy vazhdojnë rikuperimin nga dëmtimet. Gjithsesi, drejtuesit besojnë se nevojiten ende ndryshime dhe nuk përjashtohet largimi i disa lojtarëve gjatë merkatos së verës.
Sa i përket mesfushës, Reali vazhdon të mbajë në program transferimin e një organizatori të madh loje, në një operacion që mund të arrijë shifrën e 150 milionë eurove. Por për Mourinhon prioriteti është i qartë: përpara se skuadra të kërkojë shkëlqim në sulm, duhet të rikthejë sigurinë në mbrojtje.