Rast politik para Botërorit 2026, arbitrit somalez i ndalohet hyrja në SHBA

Pak ditë para nisjes së Botërorit 2026, një tjetër rast me prapavijë politike ka tronditur atmosferën rreth turneut që do të fillojë më 11 qershor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në qendër të vëmendjes këtë herë është arbitri somalez Omar Abdulkadir Artan, një prej gjyqtarëve më të vlerësuar në kontinentin afrikan.

Sipas raportimeve të DailySports, pas një pritjeje të gjatë Artan kishte arritur më në fund të siguronte vizën për të udhëtuar drejt SHBA-së, aty ku do të bashkohej me kolegët e tij për përgatitjet e ndeshjeve të para të Botërorit. Megjithatë, udhëtimi i tij nuk ka përfunduar siç ishte parashikuar.

Burimet bëjnë të ditur se arbitri somalez është ndaluar në kufirin amerikan nga autoritetet vendase dhe më pas është kthyer menjëherë në Turqi. Deri në këto momente nuk është dhënë asnjë arsye zyrtare lidhur me vendimin për t’i ndaluar hyrjen në territorin amerikan.

Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe shumë spekulime në Afrikë, sidomos duke pasur parasysh rëndësinë e Artanit në arenën ndërkombëtare të arbitrimit afrikan. Ai konsiderohet si një prej gjyqtarëve më të mirë të kontinentit dhe pritej të kishte rol të rëndësishëm gjatë turneut.

Rasti pritet të sjellë debate të shumta në ditët në vijim, ndërsa opinioni sportiv dhe politik pret sqarime zyrtare nga autoritetet amerikane dhe organizatorët e Botërorit.