Boçi: Mazhoranca po bllokon debatin për ligjin që ndalon propagandën gjinore tek fëmijët

Kryetari i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Luçiano Boçi, akuzoi mazhorancën se ka bllokuar në mënyrë të pajustifikuar shqyrtimin e projektligjit të propozuar nga deputeti Tritan Shehu për ndalimin e propagandës gjinore tek fëmijët.

Gjatë mbledhjes së komisionit, Boçi tha se vendimi për shtyrjen e projektligjit bie ndesh me dakordësinë e arritur më herët në Konferencën e Kryetarëve, ku ishte përcaktuar që nisma të diskutohej në seancën plenare të 11 qershorit.

Sipas tij, argumenti i mazhorancës se nevojitet më shumë kohë për të studiuar projektligjin është i pabesueshëm, duke kujtuar se në të kaluarën janë miratuar me shpejtësi ligje me ndikim të madh, si ato për investimet strategjike, trashëgiminë kulturore apo çështje të tjera të rëndësishme.

“Pse për këtë ligj kërkohet kohë shtesë, ndërsa për ligje të tjera me peshë shumë më të madhe nuk është kërkuar? Pse kemi dy standarde? Dakordësia ishte e qartë dhe rendi i ditës ishte miratuar. Nuk e kuptoj pse po e shkelni atë”, u shpreh Boçi në replikë me deputeten socialiste dhe ish-ministren e Arsimit, Evis Kushi.

Deputeti demokrat argumentoi se nisma e propozuar trajton një çështje që, sipas tij, prek drejtpërdrejt edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa kritikoi ashpër atë që e konsideroi si mungesë vullneti nga ana e mazhorancës për të zhvilluar një debat parlamentar mbi këtë temë.

Boçi ngriti gjithashtu shqetësime lidhur me politikat që, sipas tij, po promovohen nga institucionet shtetërore në lidhje me identitetin gjinor, duke deklaruar se opozita do të vazhdojë të kundërshtojë çdo iniciativë që, sipas saj, cenon interesin dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Në përfundim të debatit, ai akuzoi shumicën se po injoron vendimet e marra në organet parlamentare dhe po përdor forcën e kartonëve për të rrëzuar nismat e opozitës, duke kërkuar respektimin e procedurave dhe të dakordësive të arritura më parë në Kuvend.