SYRI TV/ Rama i kundërvihet protestës me anti-mitingje, administrata çohet me dhunë

Kryeministri Edi Rama ka nisur prej ditësh një fushatë sulmesh ndaj protestuesve që kanë pushtuar vendin, si dhe po detyron administratën të angazhohet në antimitingje. Syri TV ka siguruar komunikime dhe mesazhe kërcënuese ndaj administratës për t’u bërë pjesë e antimitingjeve që Edi Rama po organizon. Në Elbasan, punonjësit, nën kërcënimin e largimit nga puna, detyrohen të duartrokasin kryeministrin dhe të krijojnë ovacione. Ndërkaq, në Fier, urdhri për administratën është dhënë nga Belinda Balluku dhe organizatorët kujdesen t’u kujtojnë se askush nuk duhet të mungojë.

Kryeministri Edi Rama ka nisur një fushatë sulmesh ndaj qytetarëve që, prej më shumë se një jave, kanë mbushur sheshet dhe rrugët e qyteteve kryesore të vendit, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Jo vetëm sulme dhe tallje, por kryeministri ka angazhuar të gjithë strukturën shtetërore për t’u bërë pjesë e një angazhimi me antimitingje në çdo qytet të vendit. Administrata po detyrohet, nën kërcënimin e largimit nga puna, të marrë pjesë në antimitingjet e Edi Ramës.

Për t’u bërë presion dhe për të sjellë me forcë punonjësit e administratës në antimitingje, Edi Rama ka angazhuar kryetarët e bashkive dhe drejtorët e drejtorive. Një prej denoncimeve vjen nga qarku i Elbasanit, ku Edi Rama nuk kurseu sulmet dhe ofendimet ndaj protestuesve. Syri TV ka arritur të sigurojë një mesazh të kryetarit të Bashkisë së Librazhdit, i cili, pasi ka dhënë porositë për t’i sjellë pjesëmarrësit, urdhëron kontrollin e çdokujt që mungon, si edhe i udhëzon se si duhet të ulen dhe madje të krijojnë ovacione e duartrokitje gjatë fjalimit të kryeministrit.

“Ju lutem rikontrolloni që jemi në rregull me lajmërimet e njerëzve. Gjithashtu, nga secila njësi administrative lini dikë te hyrja për të identifikuar dhe drejtuar njerëzit, si dhe dikë te zona juaj sipas hartës për t’i sistemuar në vende, por edhe që të mos ngrihen e të largohen në mes të eventit. Gjithashtu, në secilën zonë të njësive sigurohuni që të keni disa ‘entuziastë’, njerëz që do të duartrokasin dhe brohorasin gjatë fjalimit të Kryeministrit.”

Por jo vetëm Librazhdi. Syri TV ka siguruar të gjithë planvendosjen në sallën ku u mbajt eventi, si dhe numrin e personave që ishte përcaktuar të sillte secila bashki. Kjo që shikoni në pamje është planvendosja në sallën e antimitingut, ku, siç duket, nga administrata e Elbasanit, që përveç bashkisë përfshin edhe institucionet kryesore qendrore, është kërkuar të sillen 1.800 punonjës. Nga Librazhdi dhe Cërriku janë kërkuar nga 500 punonjës, ndërsa nga bashkitë e tjera, Gramsh, Peqin, Belsh dhe Përrenjas, nga 300 punonjës të administratës.

E njëjta strategji me presione ndaj administratës është ndjekur në çdo qark të vendit. Syri TV ka siguruar informacione edhe nga qarku i Fierit se si punonjësit po kërcënohen që të bëhen pjesë e antimitingut që do të mbahet në Apoloni. Në mesazhin e dërguar drejtorëve të drejtorive nuk ngurrohet të kujtohet se, sipas porosisë së Belinda Ballukut, angazhimi duhet të jetë maksimal dhe askush nuk duhet të mungojë.

MESAZHI DREJTUAR ADMINISTRATËS

“Ashtu siç u bë e ditur nga drejtuesja politike e qarkut, në datën 9 qershor, në Apoloni, në orën 18:00, kemi festën e 35-vjetorit me praninë e Kryetarit të PS-së, Edi Rama. Të ftuar jeni të gjithë dhe kërkohet një pjesëmarrje maksimale. Duke filluar që sot e deri ditën e shtunë, ju lutem konfirmoni pjesëmarrjen dhe personat që do të vijnë, pasi duhet të llogarisim edhe kërkesat për transport. Listat të jenë sa më reale, pasi në festën e fundit rezultoi se konfirmuat, por nuk erdhët. Për personat që duan transport, shënojeni në krah të emrit të tyre.”

Me këtë mesazh konfirmohet edhe njëherë presioni ndaj administratës dhe fakti që Edi Rama është angazhuar në antimiting. Kjo për faktin se Partia Socialiste vetëm pak ditë më parë festoi 35-vjetorin e krijimit në qytetin e Fierit, ndërsa tashmë Edi Rama, për t’iu kundërvënë protestuesve, po rikthehet për të festuar për herë të dytë.