SYRI TV/ Çmimet rriten me ritme të frikshme, inflacioni arrin 3%, më i lartë në 29 muaj
Çmimet në vend vijojnë të rriten me ritme të ndjeshme, sidomos gjatë dy muajve të fundit. Inflacioni arriti në 3% në muajin maj, niveli më i lartë në 29 muaj, i nxitur kryesisht nga rritja e qirave, çmimeve të ushqimeve dhe kostove të transportit. Shtrenjtimi i energjisë, së bashku me rritjen e kërkesës turistike për akomodim, kanë ushtruar presion të fortë mbi koston e jetesës, duke e bërë atë të papërballueshme për shumë qytetarë.
Çmimet në vend kanë hyrë në një tjetër valë rritjeje, duke prekur drejtpërdrejt shpenzimet e familjeve shqiptare. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se inflacioni u ngjit në 3% në muajin maj, nga 2.2% që ishte një vit më parë. Ky është niveli më i lartë në 29 muaj, që nga janari 2024, kur treguesi ishte 3.4%. Edhe në prill, inflacioni kishte kërcyer në 2.7%.
Pas kësaj rritjeje qëndrojnë kryesisht shtrenjtimi i qirave, ushqimeve dhe transportit. Kostoja e strehimit ka dhënë ndikimin më të madh në inflacion, pasi një pjesë e konsiderueshme e banesave po orientohen drejt qirave afatshkurtra për turistët, duke reduktuar ofertën për vendasit dhe duke rritur çmimet e qirave. Paralelisht, janë rritur edhe çmimet e produkteve ushqimore, si pasojë e kostove më të larta të energjisë dhe lëndëve të para, por edhe për shkak të mungesës së prodhimit vendas.
Ndërsa transporti është ndikuar nga rritja e çmimeve të karburanteve, e lidhur me tensionet dhe konfliktin në Lindjen e Mesme. Sipas INSTAT, transporti shënoi rritjen më të lartë vjetore të çmimeve, me 7.8%, ndërsa grupi i qirave, energjisë dhe karburanteve u rrit me 4.2%. Në rritje rezultojnë edhe kostot e restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit.
Ekspertët vlerësojnë se presioni mbi çmimet po vjen si nga faktorët ndërkombëtarë, ashtu edhe nga zhvillimet e brendshme të tregut. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë dhe FMN paralajmërojnë se inflacioni dhe pritshmëritë për çmimet do të mbeten nën monitorim të vazhdueshëm gjatë muajve të ardhshëm.