Juventusi nxiton për Sorloth, vizitat mjekësore para Botërorit për sulmuesin norvegjez

Juventusi po përshpejton hapat për të siguruar shërbimet e Alexander Sorloth, me klubin bardhezi që synon ta mbyllë sa më shpejt marrëveshjen për sulmuesin norvegjez para fillimit të Kupës së Botës.

Sipas raportimeve, akordi me lojtarin është arritur dhe palët kanë rënë dakord për një kontratë deri në vitin 2029, me pagë rreth 4 milionë euro neto në sezon.

Sulmuesi vjen pas një sezoni të suksesshëm me Atlético Madrid, ku ka shënuar 20 gola.

Trajneri Luciano Spalletti raportohet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në negociata, duke kontaktuar personalisht lojtarin dhe duke i prezantuar projektin teknik të klubit.

Kjo ka ndihmuar në arritjen e një “po”-je nga ana e futbollistit.

Klubi italian synon të mbyllë gjithçka përpara nisjes së Botërorit, në mënyrë që të shmangë konkurrencën nga klubet e Premier League dhe rritjen e mundshme të çmimit pas turneut.

Në këtë kuadër, janë planifikuar edhe vizitat mjekësore të lojtarit në Shtetet e Bashkuara.

Norvegjia do të debutojë në turne më 16 qershor në Boston kundër Irakut, ndërsa Juventus ka njoftuar edhe federatën norvegjeze për procedurat që po ndiqen.

Mbetet ende për t’u arritur marrëveshja përfundimtare me Atlético Madrid, i cili kërkon rreth 35 milionë euro për kartonin e sulmuesit.

Nga ana tjetër, Juventusi synon ta mbyllë operacionin nën shifrën e 30 milionë eurove.