‘Qëllimi i protestës, largimi i korrupsionit’/ Këlliçi: Rama po tenton të njollosë protestën, qytetarët të mos bien pre
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ndaj qëndrimeve dhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama në prag të protestës qytetare, duke e akuzuar kreun e qeverisë se po përpiqet të krijojë tensione dhe të devijojë vëmendjen nga qëllimi i saj.
Sipas Këlliçit, protestuesit janë mbledhur për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisjes dhe aferave korruptive, ndërsa çdo përpjekje për ta paraqitur protestën ndryshe është pjesë e një strategjie politike.
Në deklaratën e tij në Facebook, Këlliçi u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e asnjë provokimi apo veprimi që mund të përdoret për të dëmtuar imazhin e protestës.
Ai theksoi se pjesëmarrësit duhet të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga çdo akt që synon të largojë vëmendjen nga kërkesat kryesore të tubimit, të cilat lidhen me përgjegjësinë politike dhe luftën kundër korrupsionit.
Postimi i plotë:
Edi Rama po bën gjithçka për ta dëmtuar protestën qytetare dhe është gati të vërë në jetë dhe skenarin më djallëzor të mundshëm!!!
Ka veshur Bulevardin me flamuj të Izraelit duke shpresuar të ndodhë ndonjë akt që do t'i baltoste njerëzit që janë ngritur në revoltë.
Burime shumë serioze informojnë se Edi Rama do ta ekzekutojë vetë këtë skenar me njerëzit e tij të infiltruar mes turmës, ditën e sotme! Ndaj dhe flamujt, si kurrë më parë, janë vënë në lartësi që lehtësisht mund të kapen nga këmbësorët!
Është rasti që çdokush të bëjë kujdes e të mos bjerë pre e këtij provokimi.
Distancohuni nga çdo akt, gjest, apo skenar që synon të devijojë qëllimin e vërtetë të protestës që është dorëheqja dhe korrupsioni i Edi Ramës.
Bëni kujdes, qëndroni vigjilent, distancohuni nga provokimet!