SHBA vendos rregulla strikte për Iranin në Botëror, skuadra detyrohet të largohet menjëherë pas ndeshjeve

Kombëtarja e Iranit do të përballet me kushte të pazakonta gjatë pjesëmarrjes në Botërorin 2026, pasi autoritetet amerikane kanë vendosur kufizime të veçanta për qëndrimin e delegacionit iranian në territorin e SHBA-së.

Sipas raportimeve, futbollistët, stafi teknik dhe pjesa tjetër e delegacionit do të lejohen të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara vetëm për kohën e nevojshme për zhvillimin e ndeshjeve. Menjëherë pas përfundimit të takimeve, ekipi do të duhet të rikthehet në Meksikë, ku do të ketë bazën e tij të grumbullimit.

Edhe pse të gjithë anëtarët e delegacionit janë pajisur me viza të rregullta, masat janë pasojë e marrëdhënieve të tensionuara mes dy vendeve, të cilat janë përkeqësuar më tej nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.

Fillimisht, Irani kishte planifikuar të vendoste kampin stërvitor në Tucson, por më pas u detyrua të ndryshonte planet dhe të zhvendosej në Tijuana.

Kjo situatë do t’i detyrojë iranianët të kryejnë udhëtime të shpeshta mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara gjatë turneut, duke shtuar vështirësitë logjistike në një kompeticion ku çdo detaj mund të ndikojë në performancën sportive.

Mbetet për t’u parë se si do të ndikojnë këto masa në përgatitjet dhe paraqitjen e Iranit në Kupën e Botës, e cila pritet të jetë një nga edicionet më të veçanta në histori.