Amnistia Penale/ Ndoja: GJKKO po rrezikon trajtimin e barabartë të të dënuarve
Deputeti Arian Ndoja, në fjalën e tij në Komisionin për çështjen e ligjeve, u shpreh se debatet mbi Amnistinë Penale nuk janë thjesht teknike, por vendimtare për të përcaktuar drejtësinë dhe riintegrimin e të dënuarve.
Ai nënvizoi dy propozimet kryesore për hyrjen në fuqi të ligjit: data simbolike 31 mars 2026, ose zbatimi standard 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Sipas Ndojës, qëllimi i amnistisë nuk është vetëm të lehtësojë ngarkesën e sistemit penitenciar dhe të Gjykatës së Apelit, por edhe të ofrojë një mundësi reale rikthimi në jetë për të dënuarit, përjashtuar vetëm rastet e veprave penale të rënda.
Ai kritikoi mënyrën se si GJKKO trajton grupet kriminale, duke përjashtuar padrejtësisht individë me role periferike, si ata të akuzuar vetëm për moskallëzim krimi, vetëm për shkak të përfshirjes së tyre në vendime të gjykatës speciale. Ndoja hodhi dritë edhe mbi problematikat proceduriale: vonesat në zbardhjen e vendimeve, personat në arrati dhe ata që heqin dorë nga ankimi, të cilët riskojnë të mbeten jashtë amnistisë pavarësisht përmbushjes së kushteve ligjore.
Në përfundim, deputeti kërkoi që amnistia të shërbejë si një instrument i drejtë, i qartë dhe praktik, duke ndihmuar jo vetëm të dënuarit, por edhe organet e drejtësisë në përballimin e mbingarkesës, pa lënë pas dore parimet e barazisë dhe drejtësisë.
Pjesë nga deklarata:
Kam përshtypjen se ajo që tha edhe zoti Manja për kohëzgjatjen, unë personalisht e shoh kështu: kam dy propozime. Më e pakta është 31 marsi i vitit 2026, ndërsa më e natyrshmja, sepse unë hyj te ata njerëz që, pavarësisht se çfarë kanë bërë ata që ndodhen pas hekurave, u japim mundësi të riintegrohen dhe të rikthehen në jetë. Sigurisht, jo për të gjitha llojet e veprave penale. Kështu, më e udhës do të ishte data e hyrjes në fuqi, siç e parashikon neni 80 i Kushtetutës—mos gaboj 15 ditë pas hyrjes në fuqi, pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Kjo do të sillte qëllimin e vërtetë të ligjit: në qoftë se ne do të bëjmë amnisti për arsye politike, sepse duam t’i afrohemi një shtrese të caktuar ose duam të kënaqim interesat e popullatës, le të quhet flamuri i kujtdo ndaj i Partisë Socialiste, ndaj i Partisë Demokratike.
Në qoftë se e bëjmë amnistinë për të arritur atë qëllim, kjo në kohë lë shteg për dy amnisti brenda dy viteve, shpejt e shpejt, dhe lë hapësirë për interpretim politik. Ndërsa në aspektin praktik, kjo i sjell të mira sistemit penitenciar dhe të dënuarve. Mirëpo, ka një problem: kam përshtypjen se do ta zgjerojmë pak këtë dhe do të sjellë një feedback ose të mirë edhe për organet e sistemit gjyqësor, të cilat, për shkak të asaj reforme që edhe vetë mazhoranca e ka quajtur arritje apo sukses, kanë ardhur në pikën që do të ndërhyjnë dhe kanë bërë disa ndërhyrje, dhe do të ndërhyjnë prapë te ai sistem për shkak se kjo reformë ka sjellë probleme në praktikë: kohëzgjatje tej afateve të arsyeshme, mosdhënie e drejtësisë në kohë, etj. A mund të bëjmë diçka që ta hapim pak gamën për t’i ndihmuar organet e drejtësisë në punën e tyre praktike, kryesisht Gjykatën e Apelit?
E treta, ka një problem konceptual, jashtë diskutimit politik. Ne flasim për dosjet që kalojnë tek GJKKO-ja, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Shpeshherë, për shkak të mënyrës së inicimit të procesit nga ana e organit të ndjekjes penale, përdoret termi “grup i strukturuar kriminal”. Dhe po jap një rast thjesht: për ngjarje që ndodhin jashtë vendit, për shembull personi A është ai që merret me porositjen dhe marrjen e një sasie lënde narkotike dhe investon paratë në atë biznes të paligjshëm. Ndërkohë, ka një grup tjetër njerëzish që fillojnë nxjerrjen nga porti, në një vend të caktuar, pasi ka ardhur nga një vend i Amerikës Latine në një vend të Bashkimit Europian. Thjesht fakti që këta kanë njohje me personin që fut paratë, i bën pjesë të grupit të strukturuar kriminal, kur në fakt mund të dënoheshin për një dispozitë të thjeshtë dhe të ishin në një vend tjetër. Ose një person që thjesht për moskallëzim krimi dënohet së bashku me pjesën tjetër të grupit që është te GJKKO-ja. Vetëm fakti që ai është pjesë e një vendimi të dhënë nga GJKKO-ja e përjashton automatikisht nga amnistia.
Pra, në frymën politike që ne jemi kundër veprave që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe korrupsionin, të cilat janë prioritete edhe për shkak të anëtarësimit në Bashkimin Europian, dhe gjithashtu për shkak të parullave të opozitës, jam dakord të vendosim kufizime fikse. Për ngjarjet e tjera, në rastin konkret, unë jam edhe i dëmtuar personalisht nga veprat që janë gjykuar nga GJKKO-ja, dhe prapë nuk më përbën problem nëse ulet ndonjë vit dënimi atyre personave, sepse ata kanë marrë dënimin e tyre dhe do ta përmbushin. Po në aspektin e amnistisë penale, duhet të ndajmë pjesën politike nga pjesa e përfitimit të personave dhe gamën ku shtrihet kjo. Sepse padrejtësisht, një njeri që mund të jetë thjesht pjesë e një vendimi në GJKKO, mbetet pa u trajtuar nga amnistia për shkak të stampës së GJKKO-së.
Tani kthehemi te diskutimi praktik procedurial. Te neni 2, pra te neni 1, në qoftë se shikohet e arsyeshme, mund të ketë dispozita që shtrijnë fushën e qëllimit të ligjit edhe tek zëvendësimi i dënimeve, një ndër kriteret e parashikuara në nenin 71 të Kodit Penal. Tek neni 2, personi që është shmangur drejtësisë, është person i fshehur, i arratisur ose i ikur, i cili, megjithëse ka dijeni, shmanget me vullnet procedimin penal. Tani kemi raste: 6 vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, para shumë vitesh, rasti Hoxha e të tjerë, që flasin për marrjen e dijenisë për vendimin nga ana e të pandehurit. Edhe të drejtën e ankimit që ka avokati. Çfarë ndodh me një person që i ka dhënë prokurë avokatit për ta përfaqësuar në hetim dhe në gjykim? Në momentin e njoftimit të vendimit, sipas rregullave të Kodit të Procedurës Penale, e marrim të mirëqenë sikur i ka dhënë prokurë avokatit dhe kjo automatikisht tregon dijeni për procesin. Çfarë ndodh me vendimin? I është njoftuar, dhe ai më vonë mund të kërkojë rivendosjen brenda afatit. Megjithatë, nuk përfiton nga kjo amnisti.