Reforma pas kritikave: Belgjika po shqyrton zgjatjen e afatit ligjor për abortin

Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, ka propozuar zgjatjen e afatit ligjor për abortin nga 12 në 14 javë, në një përpjekje për t'i dhënë fund bllokimit politik prej kohësh mbi këtë çështje, shkruan agjencia Belga.

Sipas projektligjit , gratë që mbeten shtatzëna si pasojë e përdhunimit mund të kryejnë një abort deri në javën e 18-të të shtatzënisë. Propozimi parashikon shkurtimin e periudhës së detyrueshme të pritjes midis konsultimit të parë dhe vetë procedurës nga gjashtë ditë në dy.

Verlinden deklaroi se propozimi përfaqëson një ekuilibër midis autonomisë së grave dhe mbrojtjes së jetës së palindur. Ajo theksoi se 14 javë është limiti që ajo mbështet dhe se nuk do të pajtohej me një zgjatje shtesë të afatit.

Propozimi vjen në një kohë kur Belgjika përballet me kritika nga grupet e të drejtave të njeriut për vonesën e reformës së ligjeve të saj për abortin. Amnesty International deklaroi në raportin global mbi të drejtat e njeriut për vitin 2025 se Belgjika paraqitet si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, por se nuk i ndjek gjithmonë detyrimet e saj me veprime konkrete. Ndër problemet e brendshme, organizata veçoi bllokimin në reformën e ligjit për abortin.

Koalicioni qeverisës është ende i ndarë për këtë çështje. Ndërsa disa parti mbështesin zgjatjen e afatit në 18 javë, partia e Ministrit Verlinden, CD&V, thotë se do ta mbështesë reformën vetëm nëse Parlamenti zgjeron njëkohësisht aksesin në kontracepsionin e rimbursuar nga sistemi shëndetësor.

Propozimi tani do të shqyrtohet nga qeveria, përpara se t'i dërgohet Parlamentit.