Kos kërkon kompromis politik në Kosovë pas zgjedhjeve
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, uroi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, duke theksuar njëkohësisht nevojën për bashkëpunim mes forcave politike.
“Që Kosova të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së, forcat politike duhet tani të bashkohen dhe të gjejnë kompromis për të ndërtuar stabilitet institucional”, shkroi Kos në platformën X.
Ajo shtoi se mezi pret të vizitojë Kosovën për të intensifikuar punën rreth integrimit evropian dhe vazhdimin e mbështetjes përmes Planit të Rritjes të BE-së.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën m 7 qershor, me një pjesëmarrje prej rreth 35% të trupës elektorale.
Rezultatet preliminare, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e nxorën partinë e Kurtit, Lëvizjen Vetëvendosje, të parën - me 42.91% të votave.
Pas saj renditen: Partia Demokratike e Kosovës me 21.08%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.60%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.17% dhe Lista Serbe me 6.17%.
Pas shpalljes së fitores, Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, e la të hapur mundësinë për bisedime dhe bashkëpunime me partitë e tjera.
Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri - çfarë çoi automatikisht në shpërndarjen e institucionit ligjvënës.
Ato ishin zgjedhjet e treta brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë zgjedhjesh të parakohshme më 28 dhjetor.
Zgjedhjet e para nuk arritën të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i siguruan Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave, nuk sollën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese./ REL/