Çmimet 'kapin qiellin'/ Inflacioni kërcen në 3 përqind, niveli më i lartë në 29 muaj

Çmimet janë rritur ndjeshëm gjatë dy muajve të fundit, duke reflektuar pasojat e Luftës në Lindjen e Mesme, që shtrenjtoi energjinë, me një efekt zinxhir në produktet e tjera, si dhe efektin që po jep fluksi i lartë i turistëve në koston e strehimit për vendasit.

INSTAT raportoi se norma e inflacionit e matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) në muajin Maj 2026 ishte 3,0 për qind, nga 2,2 për qind në Maj 2025.

Ky është niveli më i lartë në 29 muaj, që nga janari 2024, kur treguesi ishte 3.4%. Edhe në prill, inflacioni kishte kërcyer në 2.7%.

Tre faktorët kryesorë që kanë ndikuar në shtrenjtimin e çmimeve në maj janë:

1.Vijimi i shtrenjtimit të qirave (me ndikim 0.84 pikë përqindje në inflacion, ose gati një të tretën e rritjes së çmimeve), si rrjedhojë e faktit që shumë njësi akomoduese janë dhënë me qira afatshkurtër për turistët, duke rritur qiratë afatgjata për vendasit. Turistët kanë ndikuar dhe në shtrenjtimin e bareve e restoranteve (efekti 0.17 pikë përqindje).

2.Çmimet e ushqimeve (ndikimi 0.76 pikë përqindje), reflektim i shtrenjtimit të lëndëve të para, përfshirë energjisë si dhe mungesës së prodhimit vendas.

3.Transporti (0.51 pikë përqindje), i ndikuar direkt nga lufta, si rrjedhojë e karburanteve.

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në Maj 2026 u ndikua kryesisht nga grupi “Transporti” me 7,8%, pasuar nga “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,9%, “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” dhe “Argëtim, sport dhe kulturë” me 4,2% secili, Pije alkoolike dhe duhan” me 3,4%, “Restorante dhe shërbime akomodimi“ dhe “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 3,0% secili, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,8%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,2%, “Shërbimi arsimor” me 2,1%, “Shëndeti” me 1,6%, “Informacioni dhe komunikimi” me 0,5%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,5%.

Niveli i inflacionit ka arritur në objektivin e shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko theksoi në takimin e fundit me FMN-në se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar t’i ofrojë ekonomisë shqiptare kushte të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv, duke ndjekur një përqasje të kushtëzuar nga informacioni i ri dhe duke adresuar pasiguritë mbi ecurinë e ekonomisë.

Edhe FMN vuri në dukje se inflacioni është ndikuar nga rritja e çmimeve të energjisë, ndërsa pritjet inflacioniste kërkojnë monitorim të vazhdueshëm. Banka e Shqipërisë ka si objektiv kryesor garantimin e stabilitetit të dhe këtë e bën përmes caktimit të normës bazë.

Në periudhat kur inflacioni është në rënie, norma bazë ulet dhe e kundërta, kur tendenca e çmimeve është në rritje, politika monetare shkon drejt kahut shtrëngues.

Aktualisht norma bazë është 2.5%, nga 3.25% që arritu në 2024-n, kur banka ndërhyri për të frenuar rritjen e çmimeve që erdhën si rrjedhojë e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor

Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin Maj është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me +0,84 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,76 pikë përqindje.

Gjithashtu, çmimet e grupit “Transporti” me +0,51 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me + 0,20 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” ndikuan me +0,17 pikë përqindje secili, çmimet e grupit “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me +0,13 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim, sport dhe kulturë” me +0,09 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor” dhe “Sigurime dhe shërbime financiare” me +0,07 pikë përqindje secili, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,05 pikë përqindje, çmimet e grupit “Informacioni dhe komunikimi” me +0,02 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me -0,02 pikë përqindje./MONITOR