Kosova drejt ngërçit politik/ Zhitia: Koalicionet e pashmangshme, por pa marrëveshje rrezikohet...

Gazetarja Albion Zhitia, e ftuar në emisionin “Kafe Shqip” në Syri TV, u shpreh se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë tregojnë një panoramë të qartë, por njëkohësisht paralajmërojnë një ngërç të mundshëm politik.

Sipas saj, rezultatet e zgjedhjeve e bëjnë të pashmangshëm formimin e një koalicioni paszgjedhor, ndërsa Vetëvendosje pritet të ketë rreth 58–61 deputetë, një numër që nuk garanton stabilitet të plotë qeverisës.

Ajo theksoi se opsionet kryesore mbeten një marrëveshje me LDK-në ose me AAK-në, ku LDK ka vendosur si kusht postin e presidentit për Vjosa Osmanin, ndërsa AAK mund të ofrojë numra shtesë për një shumicë më të sigurt.

Zhitia shtoi se sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit dhe miratimi i ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, ndërsa mungesa e marrëveshjes mes partive mund ta çojë vendin drejt një krize të re institucionale.

Pjesë nga deklarata:

Sistemi i KQZ-së tregon se qëndrojnë po ato kuti që janë hapur dhe të gjitha që janë numëruar. Rezultati final është se Vetëvendosja ka fituar 48% të votave, për të vazhduar më pas me Partinë Demokratike me 21%. LDK-ja ka arritur të grumbullojë vota dhe të rritet, duke shkuar në 17%, ndërsa kemi Aleancën, e cila ka arritur të mbajë 7.1%.

Këto janë rezultatet e katër partive kryesore në Kosovë, pa përmendur partitë e tjera minoritare apo Listën Serbe, e cila tashmë ka grumbulluar mbi 5% të votave dhe, sipas legjislacionit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i ka vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

Koalicioni, me këto shifra që kemi, është i pashmangshëm, sepse, edhe përkundër faktit që kemi ende vota të panumëruara, si votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta, të cilët kanë votuar ditë më parë, por edhe votat e diasporës, ato mund të ndryshojnë disi rezultatin. Mirëpo, në kalkulimet e fundit, kemi 58 deputetë të Vetëvendosjes. Shto këtu edhe dy ose tre deputetë që mund të vijnë nga diaspora, gjithsesi ajo nuk do të mund të arrijë të grumbullojë më shumë se 60-61 deputetë.

Me këtë ndoshta mund të krijohet një qeveri, por jo një qeveri stabile. Po e them këtë duke pasur parasysh gjithmonë kontributin e partive të komuniteteve, që kanë edhe 10 vende të tjera të rezervuara për komunitetet jo-serbe. Domethënë, pa Listën Serbe mund të krijohet një koalicion mes Vetëvendosjes dhe partive të komuniteteve. Por jo një qeverisje stabile, siç ishte ajo e dhjetorit; po flas për një qeverisje stabile me numra të fortë dhe realë, shumë më të mëdhenj sesa këta që kemi aktualisht.

Kjo do të sillte një krizë të re nëse nuk arrihet një koalicion i mundshëm me një nga partitë shqiptare. Në këtë rast kemi Partinë Demokratike, LDK-në apo Aleancën.

Një gjë duhet theksuar: pas përfundimit të rezultateve kemi pasur një qëndrim të hapur të LDK-së karshi një koalicioni të mundshëm me Vetëvendosjen, por gjithmonë duke renditur si kusht zgjedhjen presidente të kandidates Vjosa Osmani. Ata tashmë kanë garuar hapur në këto zgjedhje me një kandidate për presidente dhe një kandidat për kryeministër.

Mirëpo, siç duket, LDK-ja ka vendosur si kusht parimor që fillimisht të pranohet zonja Osmani si kandidate për presidente. Pra, marrëveshja do të ishte që Osmani të bëhej presidente dhe më pas të ndaheshin postet qeveritare për krijimin e një qeverie.

Në anën tjetër, nga PDK-ja nuk kemi pasur ndonjë deklaratë që lë të kuptohet se mund të kemi një koalicion të mundshëm. Ndërsa nga Aleanca janë të kënaqur me rritjen dhe futjen në Kuvend.

Nga ana tjetër, mund të kemi një bashkim të Aleancës me Vetëvendosjen dhe, duke pasur parasysh se Aleanca ka arritur të sigurojë 8 deputetë, një koalicion i tillë do të ishte mjaft i mirëseardhur për Vetëvendosjen, në mënyrë që të ketë numra më të sigurt.

Duhet theksuar se në legjislaturën e 11-të, kjo që është zgjedhur tani, për shumë ligje që pritet të votohen në Kosovë do të nevojiten 2/3 e deputetëve. Në rast të mungesës së një koalicioni të mundshëm, gjithsesi na pret një krizë e re. Mund të shkojmë sërish në zgjedhje.

Madje, pas gjashtë muajsh, kur ushtrueses së detyrës, zonjës Albulena Haxhiu, do t’i skadojë mandati, atëherë do të futemi në një terren të panjohur deri më tani, pasi nuk e dimë se si mund të veprohet tutje. Kjo duke pasur parasysh se asnjëherë më parë Kosova nuk ka qenë në një krizë të tillë politike, sidomos për çështjen e presidentit.