Nurellari: Kurti fitoi zgjedhjet, por qytetarët duan qeverisje përgjegjësi, jo betejë me kundërshtarët

I ftuar në studion e “Kafe Shqip”, politologu Adri Nurellari foli për rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë, ku u shpreh se Albin Kurti ka dalë fitues kryesor jo domosdoshmërisht për shkak të mbështetjes absolute qytetare, por kryesisht për shkak të mungesës së një alternative të besueshme.

Ai theksoi se kjo situatë, ndonëse i garanton LVV-së kryesimin e qeverisë, po i faturohet vendit në planin politik dhe gjeopolitik, duke rrezikuar humbjen e mundësive për integrim evropian dhe përfitime strategjike nga partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Nurellarit, fokusimi i tepruar i qeverisë te betejat e brendshme dhe llogaritë elektorale po e lë në hije administrimin e shtetit dhe nevojën për qeverisje reale. Ai shtoi se qytetarët nuk e kanë votuar lidershipin aktual vetëm për të mundur opozitën, por për t’u ofruar zgjidhje problemesh, vizion dhe përgjegjësi për të ardhmen e vendit.

Pjesë nga deklarata:

Kurti faktikisht po fiton jo sepse të gjithë e duan, por sepse askush tjetër nuk bind mjaftueshëm, dhe gara më shumë po katandiset në pyetjen se kush del partia e dytë. Por votuesit e kanë dhënë një lloj mesazhi pas gjithë dramës politike; ata kanë dhënë një mesazh të qartë: vazhdoni të debatoni, përplaseni, por ne do të votojmë njësoj. Pra, Kosova ndryshoi gjithçka për të mos ndryshuar asgjë.

Në këtë aspekt, do të duhet të ndryshojë edhe sjellja politike dhe të mos vazhdohet me vendosjen e vijave të kuqe, kokëfortësi dhe obstruksionizëm, sepse kostoja oportune për Kosovën është e jashtëzakonshme. Domethënë, ju e dini mirë fjalën se pavarësisht problemeve që ka qeveria e Qipros me standarde të ndryshme, ajo është në një pozicion shumë të favorshëm për të hyrë në Bashkimin Evropian, jo për merita, por për shkak të një konstelacioni gjeopolitik që lidhet me Ukrainën.

Ne po shohim se madje edhe për Ukrainën dhe Moldavinë po bëhet një ofertë politike e pabazuar në kritere. Tani imagjinoni: kjo është një situatë kaq e favorshme ndërkombëtare për të avancuar në procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe në integrimin në NATO. Kosova ka aplikuar për statusin e kandidatëve, por ndërkohë ka qenë nën sanksionet e BE-së. Pra, ky instabilitet po i shkakton kosto të jashtëzakonshme oportune Kosovës në aspektin gjeopolitik, sepse mund të humbasë këtë dritare mundësie dhe këtë trend që ka ardhur për të përshpejtuar integrimin evropian dhe të mos ngelet vendi i fundit.

Duke mos pasur një qeveri stabile, Kosova e vendos veten në një shënjestër që mos ta shfrytëzojë këtë mundësi. Jo vetëm që nuk po e shfrytëzon, por po humbasim edhe fondet e dedikuara për Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet edhe Kosova, për investime infrastrukturore e të tjera. Pra, kostoja oportune e instabilitetit dhe e paaftësisë për të ndërtuar konsensus të brendshëm është e jashtëzakonshme për Kosovën. Pa llogaritur pastaj koston për investimet e huaja dhe ndikimin që kjo ka te rinia, e cila po ikën masivisht, duke humbur shpresën.

Ky aspekt gjeopolitik, mundësia e integrimit të favorshëm në Bashkimin Evropian… Po të mos llogarisim edhe periudhën e 2019-ës, 2021-ës, shkurt 2025, dhjetor 2025, dhe 2026, del se Kurti duhet të tregojë mjaftueshëm përgjegjshmëri, që mandatin që ka marrë nga qytetarët ta përkthejë në qeverisje dhe jo në një konflikt të brendshëm. Besoj se e ka ledhatuar dhe e ka ushqyer mjaftueshëm egon e tij me mundjen e të tjerëve. Tani duhet që atë mandat ta përkthejë në qeverisje, administrim, zgjidhje problemesh dhe vizion, dhe jo thjesht në një lojë gare ose futbolli, duke u kthyer tek ata që po i mund të tjerët.

Domethënë, duhet të tregojë mjaftueshëm përgjegjësi për të qeverisur dhe jo për të vazhduar luftën politike. Atij i shijon kjo gjë, dhe egoja e tij është ushqyer duke mundur kundërshtarët, por qytetarët nuk e votuan vetëm për të mundur të tjerët; e votuan për t’i dhënë qeverisje, vizion, një të ardhme dhe përgjegjësi.