E sulmoi në Elbasan/ Alizoti-Ramës: Fundi yt nuk do të jetë politik, po afron dita e llogaridhënies

Deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, ka reaguar ashpër pas përmendjes së emrit të tij nga kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit të organizuar për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Elbasan.

Përmes një reagimi në Facebook, Alizoti akuzoi Ramën për arrogancë politike dhe përpjekje për ta identifikuar fatin e tij politik me fatin e vendit.

Në reagimin e tij, deputeti demokrat u shpreh se zhvillimet dhe protestat e ditëve të fundit janë pasojë e drejtpërdrejtë e qeverisjes së kryeministrit, ndërsa vlerësoi protestuesit që, sipas tij, po kundërshtojnë modelin aktual të qeverisjes.

Alizoti theksoi se Shqipëria po përjeton një moment të rëndësishëm politik dhe se qytetarët po shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj pushtetit në rrugë dhe sheshe.

Postimi i plotë:

Që e ke humbur fare duket qartë. S’ka nevojë për psikologë e psikiatër. Bashkon fjalë dhe kujton se bën fjali. Më paske përmendur edhe mua si deputet, në ligjëratën e lodhshme para të tutëvëve. Ty të pëlqen të vetëkënaqesh para skllevërve të tu nëpër salla.

Po ky sot është problemi më i vogël që ke ti dhe duartrokitësit e tu. Tani po të jap një leksion historie, se ti, si i shkolluar nga kinostudio, e ke diapazonin mendor sa ekrani i një televizori Iliria. Po të tregoj që, që nga koha e faraonëve e deri te sivëllai yt, Stalini, të gjithë diktatorët e bashkojnë kombin me veten. Njësoj si ti, po fiks fare si ti, e quajnë fundin e vet si fund të kombit. Por, po të shkollohesh me televizor Iliria, babëzia ta errëson gjykimin.

Këto që po ndodhin këto ditë në Shqipëri janë rezultat i qeverisjes tënde. Mund të bësh kllounin sa të duash, të thërrasësh në ndihmë kë të duash; suksesi i protestës është fundi yt.

Unë jam deputet dhe në politikë ka finale të mira e të këqija politike. Por ti s’je më përballë meje si deputet, as përballë nesh si politikanë. Ndaj mos u përgjëro kot. Fundi i pushtetit tënd duket qartë që s’do të jetë më politik. Do të jetë në shesh, aty ku rrëzohen të gjithë ata që qeverisin si ti. Dhe unë i falënderoj dhe i mbështes nga zemra të gjithë ata që po ta afrojnë këtë fund, që e meriton totalisht.

Kjo ishte përgjigjja politike.

Sa për mbiemrin tim, më vjen keq. Jemi kaq të ndryshëm, sa s’ta kthej dot përgjigjen. Nuk ma lejon edukata familjare të debatoj me sojin tënd.