Rama i tmerruar, nuk ndal sharjet dhe fyerjet ndaj qytetarëve

Kryeministri Edi Rama po tmerrohet çdo orë e më shumë nga mijëra qytetarë që i kanë dalë në shesh poshtë zyrës së tij prej 8 ditësh rresht duke i kërkuar dorëheqjen.

Pasi i ofendoi paraditen e sotme dhe gjatë pasdites në takimin me socialistët në Elbasan, Rama ka reaguar sërish në Facebook, duke i sharë dhe fyer qytetarët që po tregojnë rezistencë duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe të qeverisë që ai përfaqëson.

‘Këto bashkëngjitur janë vetëm disa prej mbetjeve të gojës suaj, në adresë të socialistëve të Elbasanit sot’, shkruan Rama duke postuar edhe komentet e qytetarëve në rrjetet sociale.

Postimi i plotë:

SHËNIM I DETYRUAR

Pra kur mblidheni ju me Rrethin Katror, e me blogerë e influencera që vijnë në bulevard për të marrë follouersa e llajke mbi tribunë, e me lloj-lloj qorrallapajsh rrotull dhe luftoni me tradhëtarë imagjinarë, kundër projektesh imagjinare, për të mbrojtur natyrën nga shkatërrimi imagjinar e për të shpëtuar flamingot nga vdekja imagjinare, kjo është “Shqipëria e Re”, “Shqipëria e Shqiptarëve”, “Shqipëria që nuk shitet”, ndërsa kur mblidhen të tjerët ju i jepni vetes të drejtën t’i shani, ofendoni, pështyni, siç bëni me të tërë ata që marrin kurajon të shprehin ndonjë mendim ndryshe në faqet e tyre dhe duhet të marrin mbrapsht furinë e gjuhës më anti-ambientaliste të mundshme

Këto bashkëngjitur janë vetëm disa prej mbetjeve të gojës suaj, në adresë të socialistëve të Elbasanit sot, të cilat po ia bashkëngjis këtij shënimi për të gjithë ata që kujtojnë gabimisht se ka mbetur më ambientalizëm në atë protestë të stisur me ndjenjat e shumëkujt, duke i siguruar të tërë njerëzit e mirë e të shqetësuar pa dallim, se projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrësesi, po do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare, motorë të rinj të një ekonomie të denjë për një vend të Bashkimit Europian, pasqyra shembullore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe destinacione që do t’i shohë me admirim mbarë bota