Bayerni i mbyll derën Realit: Perez të mos lodhet, Olise nuk shitet!

Te Bayerni i Mynihut mesazhi është i qartë dhe pa asnjë hapësirë për interpretime: Michael Olise nuk është në shitje. Këtë e ka bërë të ditur presidenti i klubit bavarez, Herbert Hainer, i cili ka reaguar ashpër ndaj zërave që lidhin francezin me Real Madridin.

Sipas raportimeve, madrilenët po mendonin një ofertë prej 150 milionë eurosh për sulmuesin anësor, por drejtuesi i Bayernit e ka mbyllur menjëherë çdo mundësi negociatash.

“Michael Olise është lojtar i Bayernit dhe ka kontratë afatgjatë. Ne nuk jemi klub që kemi nevojë të shesim. Nëse Florentino Pérez dëshiron të na dërgojë një ofertë, gjë që deri tani nuk ka ndodhur, mund të kursejë mundin: as për 150 milionë euro apo më shumë nuk do të largohet”, deklaroi Hainer.

Shifrat e Olises këtë sezon kanë qenë mbresëlënëse. Francezi ka realizuar 22 gola dhe ka dhënë 31 asistime në të gjitha kompeticionet, duke u shndërruar në një nga lojtarët më vendimtarë të Bundesligës dhe një nga emrat që përmenden gjithnjë e më shumë në garën për “Topin e Artë”.

Ndërkohë, Olise po përgatitet për Kupën e Botës me kombëtaren e Francës, ku pritet të formojë një repart ofensiv spektakolar së bashku me Kylian Mbappé-në dhe Ousmane Dembélénë. Kjo treshe sulmuese po rrit ndjeshëm ambiciet e francezëve për triumf në Botërorin 2026.