Zverev triumfon në Roland Garros, Cobolli mposhtet me nder pas një finaleje spektakolare

Ëndrra e Flavio Cobolli-t për të triumfuar në Roland Garros 2026 u ndal në finalen e madhe të Parisit. Tenisti italian u mposht pas një beteje të jashtëzakonshme me pesë sete nga gjermani Alexander Zverev, i cili fitoi për herë të parë në karrierë një turne Grand Slam.

Në fushën “Philippe Chatrier”, Zverev triumfoi me rezultatin 6-1, 4-6, 6-4, 6-7, 6-1 pas katër orësh e 20 minutash lojë të fortë dhe emocionuese. Për tenistin 29-vjeçar nga Hamburgu, ky është titulli i 25-të në karrierë në nivel ATP, por edhe trofeu i parë në një nga katër turnetë më prestigjiozë të tenisit botëror.

Gjermani kishte humbur më parë dy finale të dhimbshme Grand Slam, në US Open 2020 ndaj Dominic Thiem dhe në Australian Open 2025, por këtë herë arriti më në fund të ngrinte trofeun e madh.

Megjithatë, vetëm duartrokitje pati për Cobolli-n, i cili zhvilloi finalen e parë Grand Slam të karrierës dhe tregoi karakter deri në fund. 24-vjeçari italian pritet të arrijë nga e hëna renditjen më të mirë në karrierë, duke u ngjitur në vendin e 10-të të renditjes ATP.

Po ashtu, ai do të renditet i katërti në garën vjetore drejt ATP Finals të Torinos, pas Jannik Sinnerit, Zverevit dhe Carlos Alcaraz.