Frika për Eriksenin, mjeku i Danimarkës qetëson tifozët: Defribilatori funksionoi, u rikuperua menjëherë

Momente paniku u përjetuan gjatë ndeshjes miqësore mes Danimarka dhe Ukraina, në një sfidë ku danezët po udhëhiqnin 2-1 në momentin e episodit që përfshiu Christian Eriksen.

Mesfushori danez u rrëzua papritur në fushë pas rreth një ore lojë, duke rikthyer menjëherë kujtimet e episodit dramatik të Euro 2020, kur ai pësoi arrest kardiak në ndeshjen ndaj Finlandës.

Për të qetësuar opinionin publik dhe tifozët, ka reaguar mjeku i kombëtares daneze, Morten Boesen, i cili dha lajme pozitive për gjendjen e futbollistit.

“Christian është mirë dhe u largua nga fusha me forcat e veta. Sipas mendimit tim, defribilatori i tij funksionon siç duhet. Ai humbi ndjenjat për një periudhë të shkurtër, por u rikuperua shpejt dhe arritëm të komunikonim menjëherë me të. Tani do të kryejë ekzaminime të mëtejshme në spital për të përcaktuar shkaqet e episodit. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të dhe me mjekët e spitalit. Christian është mirë dhe më kërkoi t’i përshëndes të gjithë lojtarët dhe t’u them se ndihet mirë”, deklaroi Boesen.

Federata Daneze mbetet në pritje të rezultateve të analizave mjekësore, ndërsa stafi shëndetësor do të vazhdojë monitorimin e situatës gjatë orëve të ardhshme. Megjithatë, lajmet e para kanë sjellë një lehtësim të madh për tifozët dhe gjithë botën e futbollit.