‘Duam qeveri teknike’/ Qytetari: S’ka negociata me Ramën! Jemi gati të sakrifikohemi për Shqipërinë

Gjatë protestës së tetë radhazi përpara Kryeministrisë, një nga qytetarët pjesëmarrës ka bërë thirrje të forta drejtuar protestuesve dhe opinionit publik, duke kërkuar bashkim dhe vazhdim të qëndresës kundër qeverisë.

Ai u shpreh se situata aktuale nuk duhet të çojë në negociata me kryeministrin Edi Rama, por në kërkimin e një qeverie teknike me garanci ndërkombëtare.

Qytetari theksoi se pakënaqësia e akumuluar prej vitesh ka arritur në një pikë kritike, duke akuzuar qeverinë për abuzim me pushtetin dhe mungesë llogaridhënieje.

Në deklaratën e tij ai bëri thirrje për mobilizim të gjerë qytetar, duke u shprehur se protesta do të vijojë deri në realizimin e kërkesave të protestuesve për ndryshim politik.

Qytetari: U bëj thirrje, bëhuni bashkë, ju që jeni duke na parë nga TV, ju që jeni jashtë e kudo. E njëjta situatë u bë para disa vitesh me studentët dhe ne, si budallenj, u bëmë negociatorë me Edi Ramën. Edi Rama i është ulur Melonit në gjunjë dhe shkel me këmbë krejt Shqipërinë. Nuk ka negociata. Nuk ka negociata me asnjë politikan.

Duam qeveri teknike me garanci ndërkombëtare. Nëse është nevoja, me derdh gjak në 21 janarin, këtu më ka politika, të më bjerë mua i pari. Jam i gatshëm t’i lë katër fëmijë në rrugë. Më vrisni mua dhe rrëzojini këto plehra. Na ka ardhur në majë të hundës, na është plasur shpirti. Jemi gati të sakrifikohemi, jemi të gatshëm të derdhim gjakun këtu dhe të ikin këto plehra nga pushteti.

Kudo që të jeni o shqiptarë, për hatër të Zotit mos bini viktimë, sepse politika na ka shkelur me këmbë 35 vjet. Ne kemi gabuar, por ne dimë të çohemi. Shqiptarët e kanë dhënë provën.