Rama nesër në Shkodër, qytetarët paralajmërojnë nga ballkoni i bashkisë: Do të presim te Kalaja

Mbrëmjen e sotme, protesta e qytetarëve në Shkodër mori një tjetër dimension simbolik, teksa një grup protestuesish u ngjitën në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës, nga ku lëshuan thirrje të forta kundër qeverisë.

Mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve të turmës së mbledhur në shesh, protestuesit artikuluan sloganet “Rama në burg” dhe “Belinda Balluku në burg”, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes dhe drejtuesve të saj.

Nga ballkoni i institucionit vendor, protestuesit bënë edhe një njoftim për vijimin e aksionit të tyre. Ata u bënë thirrje qytetarëve që nesër, në orën 17:00, të mblidhen te Kalaja e Rozafës në Shkodër, ku sipas tyre do të zhvillohet një takim i kryeministrit Edi Rama.

“Do ta presim Ramën me protestë”, u shprehën protestuesit, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen tubimit të paralajmëruar.