Merret vendimi, Feyenoordi shkarkon Robin van Persie-n
Aventura e Robin van Persie-t në stolin e Feyenoordit ka marrë fund pas pak më shumë se një viti. Drejtuesit e rinj të klubit kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin me trajnerin 42-vjeçar, kontrata e të cilit ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2027.
Van Persie mori drejtimin e Feyenoordit në shkurt të vitit 2025, duke zëvendësuar Brian Priske. Fillimi i tij në pankinë ishte pozitiv dhe skuadra arriti të siguronte kualifikimin direkt në Ligën e Kampioneve pas vendit të dytë në kampionat, pavarësisht rezultateve të luhatshme gjatë sezonit.
Megjithatë, drejtori ekzekutiv, Robert Eenhoorn, dhe drejtori teknik, Dévy Rigaux, kanë vendosur të ndërhyjnë dhe t’i japin fund projektit me ish-sulmuesin legjendar.
Gjatë periudhës së tij te Feyenoordi, Van Persie shpesh u vu në qendër të kritikave për mënyrën e menaxhimit të skuadrës. Në “De Kuip” pati pakënaqësi për çështjen e shiritit të kapitenit, përplasjen me Quinten Timber dhe ndryshimet e shumta në formacion.
Karriera e Van Persiet si trajner kishte nisur në verën e vitit 2024 te SC Heerenveen. Edhe atje kishte pasur dyshime mbi mënyrën e tij të punës, e cilësuar nga mediet holandeze si e paqartë dhe tepër kokëfortë. Megjithatë, Feyenoordi vendosi t’i besonte pas largimit të Priskes, por aventura e tij në Rotterdam tashmë ka përfunduar.