‘Refuzoni këto pseudo media banale’/ Këlliçi: Po shpërndajnë fake news kundër PD-së dhe protestës qytetare
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj, sipas tij, përpjekjeve të disa mediave dhe portaleve për të krijuar perceptimin se Partia Demokratike po synon të marrë drejtimin e protestës qytetare që po zhvillohet kundër qeverisë.
Këlliçi i cilësoi këto raportime si spekulime dhe lajme të rreme, të cilat synojnë të përçajnë protestuesit dhe të zbehin mesazhin e revoltës qytetare.
Sipas tij, demokratët janë pjesë e protestës si qytetarë të këtij vendi, me të njëjtat shqetësime dhe kërkesa si pjesa tjetër e pjesëmarrësve.
Këlliçi theksoi se askush në Partinë Demokratike nuk pretendon apo kërkon rol drejtues në organizimin dhe vendimmarrjen e protestës, ndërsa akuzoi qeverinë dhe mediat pranë saj se po zhvillojnë një fushatë dezinformimi për të dobësuar lëvizjen qytetare.
Postimi i plotë:
Disa media të cilat janë krijuar vetëm për të bërë fushata anti PD dhe anti opozitë, për të goditur këdo që denoncon korrupsionin e qeverisë, kanë nisur gjuetinë e rradhës duke shpifur dhe mashtruar sikur demokratët po kërkojnë të marrin rol drejtues në protestën popullore që ka pushtuar sheshet!
Demokratët janë qytetarë të këtij vendi, janë të rinj e të reja, burra e gra që ndajnë shqetësime e kërkesa të njëjta me ato të revoltës popullore. Madje kanë 13 vite që janë në protestë kundër korrupsionit dhe arrogancës së Edi Ramës.
Demokratët janë më të nëpërkëmburit e të shtypurit nga qeveria dhe kanë të drejtën të jenë në shesh, me të afërmit, me miqtë, me familjarët e tyre.
Askush në PD nuk pretendon apo kërkon të ketë rol drejtues, apo të ndikojë në vendimmarrje në këtë protestë! Zero!
Spekulimet, mashtrimet dhe FAKE NEWS e pafundme për ta përçarë këtë protestë, janë pjesë e fushatës së Edi Ramës dhe dëshpërimit që e ka kapluar prej 1 jave.
Ka prekur fundin, bashkë me mediat e portalet që ka nën hyqëm dhe i ushqen me para e pasuri publike!