Anthony Gordon zbulon bisedën me Rashford-in: Më tregoi gjithçka për Barcelonën
Përforcimi më i ri i Barcelonës, Anthony Gordon, ka treguar se para transferimit në “Camp Nou” ka marrë informacione të vlefshme nga shoku i tij i kombëtares angleze, Marcus Rashford, i cili sezonin e kaluar luajti në formë huazimi te katalanasit.
Në një intervistë për TalkSPORT pas ndeshjes miqësore mes Anglisë dhe Zelandës së Re, Gordon zbuloi se Rashford i kishte folur me superlativa për atmosferën brenda skuadrës ‘blaugrana’.
“Ai më tregoi sa të mirë janë lojtarët, frymën e grupit dhe ambientin fantastik që ekziston në ekip. Ishin gjëra që i kisha dëgjuar edhe më parë nga njerëz të lidhur me Barcelonën”, tha Gordon.
Sulmuesi anglez nuk e fshehu entuziazmin për aventurën e re në Spanjë, duke theksuar se objektivi i tij nuk është vetëm të luajë me fanellën e Barcelonës, por të fitojë trofe.
“Jam shumë i emocionuar që do t’i bashkohem kësaj skuadre. Nuk mjafton vetëm të luash te Barcelona, dua të fitoj gjithçka. Besoj se këtu nis një kapitull i ri dhe shumë i rëndësishëm në karrierën time”, u shpreh ai.
Përveç çështjeve sportive, Rashford e ka ndihmuar Gordonin edhe me këshilla për jetën në Katalunjë, duke i sugjeruar zona dhe vende të përshtatshme për të jetuar.
“Ai është një person shumë i sjellshëm dhe i gatshëm për të ndihmuar. Më dha informacione të dobishme për qytetin dhe për mënyrën se si funksionojnë gjërat atje”, shtoi Gordon.
Ndërkohë, e ardhmja e Marcus Rashford mbetet ende e paqartë. Barcelona ka në dispozicion një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh për sulmuesin anglez, i vlefshëm deri më 15 qershor, por drejtuesit katalanas po përpiqen të negociojnë kushte më të favorshme për ta mbajtur atë në ekip edhe për sezonet e ardhshme.