Normaliteti shoqëror dhe gomarllëku pushtetor
Më në fund shoqëria nxori vetvetiu në protestë mijëra nga gjiri i saj siç vullkani nxjerr llavën. Djem e vajza, gra e burra, fëmijë, prindër e gjyshër, njerëz të çfarëdo lloj arsimimi, profesioni, gjendjeje ekonomike, orientimi seksual, besimi fetar, apo preference politike (kryesisht socialisto-majtiste ama) po protestojnë çdo mbrëmje në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit si dhe në disa nga metropolet më të mëdha të botës perëndimore.
Pikënisje ishin kundërshtimi i megaprojektit të Zvërnecit, që për shkak të mungesës së transparencës dhe besimit të rrënuar tek kjo qeveri, perceptohet si rrezik për shkatërrimin e atij ekosistemi, si dhe e për më tepër, dhuna mbi një protestues atje në Zvërnec, live nën kamera, por shpejt spektri i parrullave anti-qeveritare u hap 360 gradë. Secili protestues ka të paktën një problem të rëndë apo akut me këtë pushtet, e të gjithë bashkë i ka mbledhur, siç e thonë në kor, arroganca e dhunshme, si vijë sjelljeje prej shumë vitesh tashmë, e këtij pushteti.
Të gjitha problemet që ngrejnë protestuesit i ka ngritur prej vitesh e sistematikisht PD dhe aleatët e saj opozitarë qoftë përmes denoncimeve të shumta e vijuese, qoftë përmes demonstrimeve frekuente në bulevard të masës së gjerë të militantëve të saj ndërsa thirrjes së saj iu përgjigjën në zgjedhje një korpus mbi 500 mijë votuesish.
Gjithsesi, protestat demokrate nuk e ngacmuan dot sa duhet pjesën tjetër të shoqërisë që ajo t’i përgjigjej masivisht thirrjes demokrate për revoltë paqësore, aq sa komentues të shumtë argumentonin se problemi qëndronte tek papranueshmëria që pjesa tjetër e shoqërisë ka ndaj kësaj opozite dhe aspak tek natyra autokrato-diktatoriale e regjimit.
Një tjetër grup argumentonte, unë bashkë me ta, se nuk është partia opozitare që përmbys regjimin e këtij lloji - vetë protestat partiake tregojnë se ka një gjendje anomale politike e shoqërore - por vetë shoqëria e cila ka ritmin e vet të reagimit, deri në një masë kritike e shpërthyese, kundra një regjimi të këtillë, ritëm që nuk përputhet me atë të organizatave politike e që varet nga shumë rrethana të tjera politike, ekonomike, demografike, gjeopolitike etj.
Tashmë një tjetër pjesë e shoqërisë, që qartazi dallohet se në shumicën e saj (me hir a pahir) ka votuar për Edi Ramën dhe regjimin e tij në zgjedhjet e kaluara, pasi ka akumuluar heshturazi pakënaqësi të shumëllojshme, po i shfaq ato në formën e protestës, por edhe me shumë kulturë, fantazi, stil, art dhe me përdorimin masiv të rrjeteve sociale, mjeshtëria më e parë dhe më e arrirë kjo e brezit të ri.
Vetë kjo masë njerëzish e ka shprehur qëndrimin e vet, qartazi dhe haptazi, se e konsideron qeverisjen e Edi Ramës diktaturë dhe po e thërret me këtë cilësim. Masa e protestuesve dhe pjesa shoqërore e përfaqësuar prej saj e kanë kuptuar se burimi i të gjitha problemeve individuale dhe kolektive të cilat i nxorën në protestë është pikërisht ky dhe vetëm ky model qeverisës, me pikënisje në zgjedhjet 2017 dhe me vulosje në zgjedhjet 2025, për të cilin edhe ata vetë, dikush më shumë e dikush më pak, kanë kontribuar, por ja që u erdhi momenti për të reflektuar dhe po e bëjnë këtë më së miri.
Kjo revoltë shoqërore e gjeti regjimin e Edi Ramës, atë vetë, të papërgatitur, ndërkohë që proceset po zhvillohen me shpejtësi. Përballë kësaj të papriture të vrullshme Edi Rama dhe i gjithë regjimi i tij kaluan nga një tezë në tjetrën. Si fillim e lidhën me nxitjen greke, pastaj me atë muslimano-iraniane antiizraelite, më pas me atë markisto-majtiste anti-trumpiste, më së fundi me atë nazisto-fashiste, e se të gjithë këto veprojnë njëkohësisht e pavarësisht njëri-tjetrit në shkallë lokale, rajonale a globale e me të gjitha mjetet e format e luftës hibride, duke keqpërdorur idiotësinë a ligësinë e ca shqiptarëve e duke fabrikuar zemërimin kallp të tyre, porse ai, Edi Rama, nuk dorëzohet e do vijojë betejën e vet pa lëkundje, asnjë hap pas. Tezë pas teze, gomarllëk pas gomarllëku.
Pamundësia për të reflektuar është një tjetër tregues domethënës i tipit të regjimit të Edi Ramës, të cilit tashmë ia vuri emrin që meriton edhe masa rishtare e protestuesve dhe ky qëndrim e kjo protestë është shprehje e arritjes së normalitetit shoqëror pasi tashmë është shoqëria që proteston, jo partia, dhe kjo pjesë e shoqërisë protestuese, në kohën më të shpejtë të mundshme prej saj, varësisht faktorëve objektivë, do nxjerrë partinë apo partitë e veta politike. Sa më shpejt të vetorganizohet aq më mirë pasi duket se regjimi Rama nuk ka ndërmend të lëshojë pe e as të dorëzohet shpejt e shpejt ndaj, përballja me të, me shumë gjasa, do jetë maratonë dhe jo sprint.
Në këto rrethana, vetorganizimi partiak i kësaj pjese protestuese rishtare të shoqërisë, nëse ndodh, do mundësojë hartimin e strategjisë dhe drejtimin e aksionit politik kundër regjimit të Edi Ramës, aksion të cilin do të duhet ta bashkërendojë me patjetër me pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare që ka kohë që kundërshton këtë regjim, dhe me partitë përkatëse që e përfaqësojnë pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare. Pa këtë bashkërendim të të dy pjesëve të mëdha shoqërore, të dyja kundra të njëjtit regjim, njëra kaherët dhe tjetra rishtazi, përmes organizimeve përkatëse e përfaqësuese partiake, nuk ka asnjë mundësi të përmbyset regjimi i Edi Ramës e të rindërtohet regjimi i mirëfilltë demokratik.
Ky regjim është e keqja më e madhe.
S’ka tjetër as të barabartë as të afërt me të.
Për ta mposhtur duhen kapërcyer të gjitha mëritë dhe paragjykimet.