‘Dilni për familjen dhe Shqipërinë’/ Kalaja: Kjo është protesta e shqiptarëve kundër arrogancës dhe shpopullimit
Kreu i PD-së në Krujë, Aulon Kalaja, i ftuar në studion e Syri TV me gazetaren Armela Ferko, komentoi protestën qytetare që po zhvillohet pas ngjarjeve në Zvërnec, ku protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas Kalasë, protesta ka tejkaluar tashmë kufijtë e një reagimi për një ngjarje të veçantë dhe është kthyer në një lëvizje më të gjerë qytetare për problemet që prekin Shqipërinë.
Kalaja theksoi se në protestë janë bashkuar qytetarë me kauza të ndryshme, nga padrejtësitë sociale dhe gjyqësore deri te fenomeni i shpopullimit dhe mbrojtja e familjes.
Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të lënë mënjanë ndasitë politike dhe të marrin pjesë në protestë si qytetarë, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe një reagim ndaj asaj që ai e quajti arrogancë të pushtetit.
Intervista në studio:
Ferko: Duke pasur parasysh të gjithë eksperiencën tënde, të gjithë atë investimin tënd të brendshëm që ti jep në një protestë. Si do ta cilësoje këtë? Kur them si do ta cilësoje, nuk po të kërkoj ta gjykosh një protestë, por çfarë do të thoje ti për këtë protestë që po zhvillohet? Me shumë të rinj.
Kalaja: Është një protestë shumë e bukur. Një protestë e cila e nderon Shqipërinë. Është një brez jo vetëm i të rinjve, por i të gjithë qytetarëve të cilët në gjykimin tim nuk janë aty vetëm për Zvërnecin, janë për Shqipërinë mbi të gjitha.
Pastaj pjesa tjetër, projekti, çështje të tjera, ambienti janë shumë të rëndësishme, por më të rëndësishëm janë fëmijët tanë. Më e rëndësishme është kauza e gjithsecilit që ka shkuar aty, që është prishja e shtëpive, padrejtësitë e sistemit gjyqësor, apo kauza 36 vjeçare që e ka mbërthyer shqiptarin e mbetur në tranzicion, që ka dalë dhe është ulur këmbëkryq në mes të sheshit për të kërkuar llogari në këtë moment ndaj një arrogance e cila ka ardhur nga tejngopja. Prandaj kam qenë kundër mandateve të katërta, sepse e kthejnë kryeministrin në një përbindësh, nuk ka se çfarë jep më.
Dhe për këtë arsye njerëzit e kanë kuptuar këtë moment dhe janë aty, kanë ardhur nga të gjashta anët, jo vetëm kaq, diaspora shqiptare ka pasur dhe luan një rol preliminar. Duke kujtuar ato vargjet e famshme "mbahu nënë mos ki frikë se ke djem në Amerikë", sidomos të frymëzuar edhe nga protesta e fundit që ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Është një kauzë e cila i përbashkon shqiptarët me flamurin kuqezi. Prandaj thirrja ime sot, sepse ne jemi tani diku te një orë e gjysmë lart nga protesta, është për të gjithë ata njerëz të cilët kanë dhe komplekse. Po ta shikosh ë, se një pjesë e njerëzve i kanë ndalur aty, pjesa tjetër që mund të jenë njerëz politikë, kanë disa komplekse. Thirrja ime personale për ta është: mos kini komplekse, mos u intimidoni, mos u gjykoni, dilni për veten tuaj, për familjen tuaj, për Shqipërinë, sepse askush nuk e mat në kandar se sa e do ti Shqipërinë apo sa e duan. Gjithsecili ka ndjenjat e veta për atdheun, gjithsecili e shikon me këndvështrimin e vet. Dhe thirrja ime që nga dita A e protestës deri në ditën Zh, se sigurisht që protesta do mbarojë në një moment me fitoren e protestuesve, të jeni të bindur për këtë gjë që protestuesit do, nga njëra anë ose tjetrën do fitojnë, është që mos dil as për partinë, as se ke votuar PS-në apo PD-në apo një parti tjetër, as se aty janë sulmuar myslimanët apo të krishterët apo dikush tjetër, dil si shqiptar për veten tënde në protestë.
Pastaj kauzat e tjera do mbeten muhabete, përralla e të tjera e të tjera. Ajo që do mbahet mend është protesta. Është shumë e rëndësishme pjesëmarrja, përpara se të merremi me intimidime, përpara se të kërkojmë organizatorë, përpara se të kërkojmë njerëz të cilët kanë investuar te protesta, njëri ka sjellë një pankartë, njëri ka sjellë një foni, njëri ka sjellë një podium e të tjerë e të tjerë.
Përpara se të kërkojmë këto, halën në sytë e tjetrit, të shikojmë traun që ka kryeministri përballë që ua ka vënë të gjithë shqiptarëve, që avionat çdo ditë po nisen nga Shqipëria duke i larguar njerëzit, duke e shpopulluar Shqipërinë në një mënyrë të frikshme. Prandaj, kjo është protesta e shqipeve. Kjo është protesta e shqiponjave të cilët janë larguar, por do rikthehen një ditë në vendin e vet.
Ferko: Për protestën e shqipeve të cilët vetë ata e dinë për çfarë po protestojnë, pra nuk po flas thjesht se ne e dimë që janë pesë kërkesa të cilat lidhen më së shumti me çështjen që kanë të bëjnë jo thjesht me Zvërnecin, vetëvetiu mbrojtja për zonat e... ligjin për çështjen e investitorit strategjik e të tjera e të tjera, nuk po ndalem te ato. Për të cilat ti, edhe të tjerë, edhe përfaqësues të Partisë Demokratike dhe aktivistë të tjerë, kanë protestuar apo kanë reaguar në momente të ndryshme, por shumë mirë që është ky moment për të protestuar për të gjitha këto. Pse e zgjata këtë? A e dinë vetë secili nga ata që vijnë në shesh, e dinë, janë të ndërgjegjësuar se për çfarë po dalin, çfarë po kërkojnë?
Kalaja: Secili ka motivet e veta, edhe unë nuk jam për t'i gjykuar. Pse këta nuk reaguan kur ne formuam Aleancën për Mbrojtjen e Butrintit? Nuk mund të them dot pse nuk dolën në 2016-ën për Velierën kur ne mbronim Kullën Veneciane në Durrës dhe dy rrënoja e të tjera e të tjera. Apo historira që ne, i kam kushtuar jetën time domethënë, Shqipëria kundër shpopullimit, kundër Mini-Shengenit Ballkanik, kundër marrëveshjes së detit me Greqinë. Historira të tilla që lidhen edhe me ambientin, por mbi të gjitha me Shqipërinë, se ne jemi ata që vendosim Shqipërinë para partisë. Është shumë e rëndësishme kjo. Kjo është e para.
E dyta, është një moment shumë i rëndësishëm. Një pjesë e protestuesve të cilët unë i kam takuar aty, është për të mbrojtur familjen. Si do mbrohet familja? Nuk është një kohë e përshtatshme kjo për politika. Të hënën, jo ditën e parë të parën mos gaboj, ne kemi qenë në një protestë tjetër, të thirrur shumë kohë më përpara. Kam qenë në një emision në një televizion kombëtar, të enjten ku kemi shpallur protestën sepse aty e morëm vesh, në të enjten nga ora 10:30 e darkës kemi marrë vesh që terapia hormonale do shkojë nëpër spitale dhe fëmijët tanë 14 vjeç mund të shkojnë në spital për të ndërruar gjininë. Kjo është e paimagjinueshme. Për mendimin tim, si Aulon, kjo është kauza e të gjithë kauzave. Po ky është mendimi im.