Morinë–Kukës/ 43-vjeçarja përplaset me trafikndarësen; shkakton një tjetër aksident në kahun e kundërt
Një vetëaksident është regjistruar këtë të diel në aksin rrugor Morinë–Kukës, pranë fshatit Bardhoc, ku një 43-vjeçare që udhëtonte nga Kosova drejt Shqipërisë ka humbur kontrollin e automjetit të saj tip “Volkswagen Polo” me targa shqiptare dhe është përplasur me trafikndarësen që ndan dy korsitë e rrugës.
Sipas informacioneve paraprake, rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në ngjarje të ketë ndikuar edhe shpejtësia e lëvizjes së mjetit.
Pavarësisht përplasjes së fortë, drejtuesja e automjetit, e cila sipas dëshmitarëve është nga Tirana, ka shpëtuar pa lëndime të rënda, duke pësuar vetëm trauma të lehta. Në vendngjarje mbërriti menjëherë ambulanca e Spitalit Rajonal të Kukësit, e cila i dha ndihmën e parë dhe më pas e transportoi 43-vjeçaren në spital për kontrolle të mëtejshme mjekësore.
Vetëaksidenti ka shkaktuar edhe një incident tjetër në kahun e kundërt të rrugës, në drejtimin Shqipëri–Kosovë. Dy automjete, një me targa të Kosovës dhe një me targa shqiptare, janë përplasur lehtë me njëri-tjetrin. Fatmirësisht, nga kjo ngjarje nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale dhe gërvishtje të mjeteve.
Dëshmitarët në vendngjarje thanë se përplasja e dytë ndodhi pasi drejtuesit e automjeteve u shpërqendruan duke vëzhguar vetëaksidentin e ndodhur në anën tjetër të aksit rrugor.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Ngjarja ndodhi në një moment kur në Rrugën e Kombit po regjistrohet fluks i lartë automjetesh, kryesisht i qytetarëve nga Kosova që po kthehen pas fundjavës së kaluar në bregdetin shqiptar. Në këtë aks po qarkullojnë gjithashtu edhe grupe motoristësh nga Kosova, të cilët po rikthehen pas pjesëmarrjes në aktivitetin “Moto Fest” të zhvilluar në Shijak.
Pavarësisht fluksit të shtuar, qarkullimi i mjeteve vijon normalisht, ndërsa policia rrugore po monitoron dhe menaxhon trafikun në këtë segment.