Zgjedhjet në Kosovë/ Veliu: Ngërç politik dhe sfida diplomatike, Kosova ka nevojë për aleatë
Teksa në Kosovë mbahen zgjedhjet, analisti Lulzim Veliu u shpreh për Syri TV se vendi vijon të përballet me një ngërç të zgjatur politik dhe sfida në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, mosfunksionimi i institucioneve, bllokimi i dialogut me Serbinë dhe tensionet në skenën politike kanë ndikuar negativisht në pozicionin e Kosovës, ndërsa kritikoi edhe lëvizjet politike të presidentes Vjosa Osmani dhe qasjen e qeverisë së Albin Kurtit në politikën e jashtme.
Veliu theksoi se Kosovës i nevojitet më shumë bashkëpunim me aleatët dhe një rol më aktiv diplomatik për të përballuar sfidat me të cilat po përballet.
Pjesë nga deklarata:
Do të kenë, do të jenë të prekur drejtpërdrejt nga Kushtetuta. Pra, në këtë rast po flasim edhe për minoritetet e tjera që jetojnë në Kosovë. Mirëpo, e para unë mendoj se është zgjidhja e problemit apo e ngërçit politik që është në Kosovë tani e sa kohë.
Vjosa Osmani ishte njëherë në LDK. Iku nga LDK-ja për t'u bërë presidente dhe, në momentin që e kuptoi se nuk ka votë nga Lëvizja Vetëvendosje për t'u bërë presidente, rikthehet sërish te Lidhja Demokratike e Kosovës. Gjithçka që do të themi rreth kësaj manovre politike do të ishte e tepërt. Kjo tregon gjithë atë moralin politik dhe parimet politike të njerëzve që sot drejtojnë forcat tona politike. Dhe unë mendoj se, në fund të ditës, Vjosa Osmani atë pozitën e presidentit shumë të dëshiruar nuk do ta arrijë pas këtyre zgjedhjeve. Do të dalë e dëshpëruar edhe nga numri i votave që do marrë dhe nuk do të jetë as për së afërmi me ata numra që kishte në zgjedhjet e fundit kur ajo mori pjesë.
Unë mendoj se kjo nuk është taktikë politike, por një amoralitet politik.
Po ashtu, mendoj se këto ngërçe politike dhe mosfunksionimi i institucioneve të një vendi gjithmonë sjellin problematika, sidomos kur ato përsëriten dhe ripërsëriten si tani në Kosovë që sa kohë. Pra, ngërçi politik ka bërë që edhe dialogu mes dy vendeve, edhe pse njëra nga gjërat e fundit që është arritur është bërë një marrëveshje në Bruksel dhe aneksi i Ohrit, për të cilin të dyja palët në parim janë pajtuar, dhe ata tanimë është dashur t'i futen punës si Kosova ashtu edhe Serbia për realizimin e asaj marrëveshjeje, pasi që është një marrëveshje ndërkombëtare dhe si e tillë nuk kanë mundësi t'i ikin asnjëra palë.
Mirëpo, tani kemi më tepër se dy vite dhe nuk kemi dialog mes dy vendeve, as nuk kemi takim të liderëve kryesorë, pra presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës. Dhe me një gjë të tillë në fakt janë të pakënaqur edhe faktorët ndërkombëtarë. Sepse ata kanë qenë të interesuar që në çdo mënyrë problematikat e vogla, apo, po flasim të vogla në krahasim me luftërat që janë duke u zhvilluar si në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, të evitohen në mënyrë që të mos kemi eskalim të situatës.
Për këtë gjë kanë qenë shumë aktivë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kanë dashur që në çdo mënyrë të përmbyllet ky proces i dialogimit. Për çka të dyja palët, pra si Kosova ashtu edhe Serbia, i kanë bërë veprimet e tyre për të mos arritur deri te një marrëveshje.
Ndërsa sa i përket çështjes së Kosovës në aspektin ndërkombëtar, unë mendoj se kjo periudhë gjashtëvjeçare e qeverisjes së zotit Kurti, lirisht mund të themi, Kosova nuk ka pasur diplomaci. Ka qenë një diplomaci e mbyllur gjatë mandatit katërvjeçar të zonjës Gërvalla, e mbyllur brenda mureve të ministrisë dhe me emërimin dhe largimin e ambasadorëve e konsujve të ndryshëm në Kosovë, ku në shumë vende edhe sot nuk kemi, i kemi vetëm ushtrues detyre të konsujve apo edhe ambasadorëve, gjë e cila nuk i bën mirë diplomacisë ose e bën të jofunksionale.
Në këtë mënyrë, unë mund të them lirisht se diplomaci nuk ka pasur Kosova. Përveç kësaj, është parë edhe një ftohje e marrëdhënieve me shumë nga partnerët tanë, si evropianë ashtu edhe amerikanë, por edhe me vendin amë, pra Shqipërinë. Marrëdhënia mes vendeve tona nuk është ajo e dëshiruara; flasim për marrëdhëniet mes dy qeverive, jo për popullin, që është po ai dhe pa marrë parasysh qëndrimet e qeverive, nuk ka fuqi që ta ndajë.