SYRI TV/ Familja Ruko 20 vite dyerve të institucioneve, kërkojnë certifikatën e tokës që disponojnë

Familja Ruko në Strum të Bashkisë Rroskovec, prej më shumë se 20 vitesh, sorollatet dyerve të institucioneve për të marrë certifikatat e tokës që disponon. Shqetësimi është ngritur nga Ervehe Ruko, e cila pohon se bashkëshorti i saj është i verbër, ndaj i është dashur asaj që të merret me të gjitha procedurat, pa mundur të gjejë zgjidhje. Ajo akuzon institucionet përgjegjëse në Bashkinë Rroskovec për të gjitha vonesat, ndërsa shton se i kanë kërkuar edhe ryshfet për të zgjidhur punët.

Familja e Isa Rukos, banorë të fshatit Strum në Bashkinë Roskovec, prej afro 20 vitesh nuk po arrin të pajiset me certifikatat e pronësisë për tokat që disponon me dokumentacion të rregullt. Isa Ruko është i verbër totalisht, dhe procedurat për pajisjen me dokumentet e pronësisë janë ndjekur nga bashkëshortja e tij, Ervehe Ruko.

Në një prononcim për Syri TV, ajo shprehet se pas ndarjes së tokës sipas ligjit 7501, kanë përfituar 25 dynymë e 200 metra katrorë tokë. Sipas saj, procedurat për pajisjen me certifikatë pronësie kanë nisur që në vitin 2007, por procesi është bllokuar pasi një dynym tokë, që sipas saj i përket familjes së tyre, është përvetësuar nga një bashkëfshatar me dokumente të falsifikuara. Ajo pretendon se në këtë proces është përfshirë edhe ish-topografi i Bashkisë Roskovec, Vilson Kocaqi.

“Edhe pse kemi bërë ankesa të vazhdueshme në bashki dhe janë ngritur disa komisione për verifikimin e sipërfaqeve të tokës, ende nuk kemi mundur të marrim atë pjesë të pronës që na takon”, thotë Ervehe Ruko.

Ajo ngre edhe akuza për kërkim ryshfeti, duke pretenduar se persona të afërt me topografin i kanë përcjellë familjes mesazhin se, nëse paguanin 300 mijë lekë të vjetra, dokumentacioni do të rregullohej dhe certifikata e pronësisë do të jepej më shpejt.

“Jam prej 35 vitesh anëtare e Partisë Socialiste, por këta na kanë vënë litarin në fyt. Nuk durohet më. Prej vitesh po na sorollasin dhe po na endin dyerve të institucioneve për një të drejtë që na takon. Ne kemi dokumentet e rregullta dhe kemi kryer të gjitha pagesat pranë ish-komunës dhe bashkisë, por ende nuk po arrijmë të pajisemi me certifikatën e pronësisë”, shprehet ajo.

Syri TV u interesua edhe pranë Bashkisë Rroskovec për të marrë një qëndrim nga topografi Vasil Kocaqi, por ky i fundit nuk ndodhej në institucion, ndërkohë që zyra e informacionit refuzoi të jepte kontaktin e tij.

Ervehe Ruko u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë për zgjidhjen e problemit, duke kërkuar që familjes së saj t’i njihet dhe t’i regjistrohet prona, që, siç pretendon ajo, e gëzon ligjërisht prej vitesh.