‘Zgjedhjet e reja s’e zgjidhin krizën’/ Spahiu: Nëse s’ka konsensus për Presidentin, rrezikojmë sërish

Fati politik i Kosovës pas procesit zgjedhor rrezikon të mbetet i mbërthyer në të njëjtin ngërç institucional.

I këtij mendimi është analisti, Nexhmedin Spahiu, i cili në një intervistë për edicionin e mesditës në Syri Tv nën moderimin e Arnold Kariqit, shprehet se një luhatje e lehtë prej 10 deputetësh për partinë në pushtet nuk do të sjellë asnjë ndryshim thelbësor, duke rikthyer hijen e një bllokade të re për zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, nëse nuk arrihet një konsensus i gjerë mes mazhorancës dhe opozitës për të siguruar 80 votat e nevojshme në parlament, rreziku i shkuarjes sërish në zgjedhje të parakohshme është i pashmangshëm.

Por ky skenar, thekson Spahiu, është një humbje e madhe kohe që dëmton rëndë interesin kombëtar.

Rruga e vetme për qytetarët që të shmangin kompromiset e detyruara politike, thekson ai, është përmes votës ekstreme: duke i dhënë partisë fituese një shumicë absolute mbi 65% të votave (mbi 70 deputetë), ose duke e tkurrur atë nën 35% (më pak se 40 deputetë).

Zgjedhje do të jenë përafërsisht të njëjtë me zgjedhjet e kaluara kombëtare. 10 deputetë më pak ose më shumë për Albin Kurtin nuk ndryshojnë situatën. Prapë kemi një situatë të tillë si çfarë e kishim edhe pas zgjedhjeve të fundit kombëtare. Dhe ajo çfarë mund të sjellë ndryshimin është ndryshimi i mendjes së liderëve politikë. Nëse ata ndryshojnë mendjen dhe bëjnë konsensusin për zgjedhjen e presidentit, atëherë mund të kemi zgjidhje. Jo mund të shkojmë sërish në zgjedhje dhe kjo natyrisht është një bjerrje kohe, e cila e dëmton shumë interesin kombëtar të Kosovës.

Qytetarët tani, në rast se mund ta bëjnë ndryshimin në rast se ta zëmë, Albin Kurtit i japin që të marrë më tepër, më shumë sesa 70 deputetë në parlament, që i bie mbi 60 e ca për qind të votave, apo 65% të votave. Ose që Albin Kurti të marrë më pak se 40 deputetë në parlament, që i bie diku më pak se 35% të votave, në mënyrë që të kemi një zgjidhje pa u nevojitur ky konsensus mes Albin Kurtit dhe liderëve të tjerë politikë.

Përderisa Kushtetuta e Kosovës e kërkon konsensusin e tyre për të pasur, arritur ato 80 vota për zgjedhjen e presidentit, ata kanë të drejtë të mos e japin. Mirëpo sigurisht përgjegjësia më e madhe i takon Albin Kurtit si partia më e madhe, meqenëse këtu mosarritja e konsensusit djeg interesat e gjithë Kosovës. Dhe kush përfaqëson shumicën e Kosovës? Kush përfaqëson gjysmën e popullatës së Kosovës? Domethënë, përfaqëson Kurti në këtë rast. Dhe duke qenë se përfaqëson më shumë, ai digjet më shumë. Prandaj i takon përgjegjësia atij që të jetë më bujar në këtë rast.

Por tani, se si do të jetë situata pas këtyre zgjedhjeve mbetet për t'u parë, por gjithsesi, sikur Kurti të ishte më bujar pas zgjedhjeve të kaluara kombëtare, nuk do të kishim këtë situatë. Po t'i a ofronte presidentin, pozitën e presidentit opozitës që në momentet e para. Sigurisht që nuk do të ishim tani këtu ku jemi. Ai në fund këtë e bëri, por duke tërhequr shumë litarin nga vetja, iu këput litari.

Tani do të shohim se nëse kjo si do të pasqyrohet në këto zgjedhje. Nëse Kurti fiton më shumë se ç'ka fituar në zgjedhjet e kaluara, kjo mund të jetë prapë një nxitje e tij për të shkuar, për të kërcënuar me zgjedhje të reja. Gjë që... edhe nuk e dimë nëse opozita do të lëshojë pe edhe atëherë. Por gjithsesi, problemi është që këta deputetë, për shembull, që nuk zgjidhen në këto, që zgjidhen për pak periudhë, ata marrin rroga dhe për një vit të tërë.