Qytetarët e Kosovës zgjedhin Shqipërinë për fundjavë, pavarësisht zgjedhjeve

Ndërsa qytetarët e Kosovës po i drejtohen kutive të votimit këtë të diel, një pjesë e tyre ka zgjedhur të kalojë fundjavën në bregdetin shqiptar. Fluksi drejt Shqipërisë ka qenë i dukshëm që nga e shtuna, megjithëse në nivele më të ulëta krahasuar me fundjavat e zakonshme të sezonit.

Të dhënat e Policisë Kufitare dhe Migracionit tregojnë se rreth 9 mijë shtetas nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës dhe të dielës përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Morinit. Këto shifra konfirmojnë se Shqipëria mbetet destinacioni kryesor për pushimet e fundjavës për qytetarët kosovarë.

Megjithatë, krahasuar me fundjavat e muajit maj, numri i hyrjeve gjatë fundjavës së parë të qershorit ka qenë më i ulët, për shkak të procesit zgjedhor në Kosovë, i cili ka bërë që disa qytetarë të mos lëvizin drejt bregdetit për të marrë pjesë në votime.

Pavarësisht kësaj, statistikat e turizmit tregojnë një rritje të vazhdueshme të vizitorëve nga Kosova. Sipas Ministrisë së Turizmit, gjatë muajit maj Shqipëria priti 321,714 vizitorë nga Kosova, duke shënuar një rritje prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shifrat konfirmojnë rëndësinë e tregut kosovar për turizmin shqiptar, sidomos në prag të sezonit veror, kur mijëra familje zgjedhin bregdetin e Adriatikut dhe Jonit si destinacionin e tyre të preferuar për pushime.