'Spitali i Lushnjes, tragjedi e harruar nga qeveria', Korreshi: Nuk ka medikamente e pajisje, ministrja...

Deputeti demokrat Saimir Korreshi sëbashku me qytetarët e Lushnjes,  organizuan sot një protestë të qytetarëve lushnjarë për të denoncuar gjendjen dramatike të Spitalit të Lushnjes. Në një deklaratë për mediat, Korreshi e përshkroi situatën si të papërballueshme, duke krahasuar ambientet e spitalit me Gazën.

“Durimi i qytetarëve ka arritur kulmin, por ajo që derdhi kupën ka qenë Spitali i Lushnjes. Nuk mundet që një ministre, e cila ka dështuar dhe ka 'lindur' shumë herë në ide, t’i kthehet qytetarëve me arrogancë duke thënë që atje ka shërbim dhe medikamente. Atje s’ka asgjë,” u shpreh deputeti Korreshi.

Ai shtoi se qytetarët, të cilët paguajnë taksa si të tjerët, përballen me mungesë të pajisjeve bazë mjekësore, skaneri funksionon vetëm ndonjë ditë dhe mjekët e infermierët punojnë me mjete të rrethanore. “Edhe një eko që ka pasur spitali është dhuruar nga një bankë, sepse shteti shqiptar ka falimentuar,” theksoi ai.

Korreshi denoncoi gjithashtu se pacientët me dializë ose ata që kanë nevojë për shërbime urgjente detyrohen të shkojnë në Fier ose Tiranë, duke u trajtuar vetëm nëpërmjet lidhjeve personale. “Vetëm me mik! Vetëm me mik, na kanë kthyer në fshat. Zgjidhjen duhet ta ketë çdo qytetar i Lushnjes, shërbimi duhet të jetë si në Tiranë,” tha ai.

Deputeti bëri thirrje për ndërhyrje të menjëhershme të qeverisë, për të kthyer vëmendjen nga qyteti dhe për të ofruar shërbim spitalor adekuat për të gjithë qytetarët lushnjarë.

Pjesë nga deklarata:

Durimi i qytetarëve ka arritur kulmin, por ajo që derdhi kupën edhe këtu ka qenë Spitali i Lushnjës. Nuk mundet që në interpelancë një ministre, e cila ka dështuar në çdo drejtim, të cilës i kanë lindur shumë herë protestat, t’u kthehet qytetarëve të Lushnjës me arrogancë, duke thënë se atje ka shërbim, atje ka medikamente, atje ka analiza… Atje s’ka asgjë.

Kështu që qytetarët sot, për ta treguar këtë, së pari duhet ta dinë, dhe për t’i bërë një ftesë asaj qeverie që të kthejë sytë nga ky qytet. Ne nuk jemi qytetarë të kategorisë së tretë, ne jemi qytetarë që paguajmë taksa njësoj si qytetarët e tjerë. Ne çojmë fëmijët, çojmë nënat tona, çojmë prindërit, çojmë veten në atë spital, i cili duket si një spital pas lufte. Unë besoj se edhe në Gaza, me gjithë çfarë ndodh, nuk ka si Spitali i Lushnjës. Unë ato filmime i kam përcjellë dhe i kam transmetuar drejtpërdrejt për të thënë që këto nuk janë retorikë boshe, por janë dhimbje që i shkaktohet çdo qytetari lushnjar.

Mjekët dhe infermierët nuk kanë qenë në luftë me ta, sepse, siç e dëgjuat edhe nga fjalët e çdo qytetari lushnjar, ata janë të gjithë të mrekullueshëm. Por fakti që janë të kushtëzuar, sepse nuk kanë pajisje dhe medikamente për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, i kufizon ata në ushtrimin e profesionit të tyre mjekësor dhe për të ecur përpara në punën e tyre.

Ne nuk kemi pajisje për të bërë eko, nuk kemi skaner; një ditë punon, një ditë jo, tetë ditë jo, një ditë ndoshta… Pra, nuk kemi asgjë tjetër. Edhe një aparat eko që ka qenë në Spitalin e Lushnjës, e ka dhuruar një bankë e nivelit të dytë, të cilën duhet ta falënderoj, sepse shteti shqiptar ka dështuar.

Absolutisht, ose në Fier ose në Tiranë, sidomos ata me dializë, 52 veta. Nëse ne nuk kemi lekë për të pasur mundësi të negociojmë me privatët, i çojmë, i degdisim… gjë që është katastrofë për të gjithë qytetarët e Lushnjës. Vetëm me mik! Vetëm me mik na kanë kthyer në fshat. Është vetëm me mik, ose vetëm në raste urgjente, ose në rast se shkon deputeti i Lushnjës, të cilit patjetër nuk ia ndalojnë dot ta bëjë këtë gjë.

Pra, kjo nuk është vetëm për Saimirin, kjo është për të gjithë qytetarët e Lushnjës. Zgjidhja duhet të jetë për çdo qytetar të Lushnjës; t’i ofrohet shërbimi siç ofrohet në Tiranë. Nuk shoh pse të mos ofrohet edhe në Lushnje.