‘Dëshpërimi, pasojë e keqqeverisjes’/ Ish zëvendësministrja e Ramës, Beqiraj: Janë shumë të frikësuar nga protesta

Nga Irena Beqiraj 

Protesta që shndërroi  zhgënjimin edhe dhimbjen në një akt të vërtet publik!

Protesta pa kokë , pa emër , pa numër,  e organizuar sipas tyre,  nga “poli -agjentët” grekë  serbë, iranianë, sorosianë, i ka trembur.

Janë shumë të frikësuar, sepse pas shumë kohësh apatie, kemi vendosur të bëjmë detyrën tonë qytetare.

Janë në dhimbje të madhe, sepse duke u përpjekur për pushtetin e tyre politik , janë mësuar të na ndajnë , të na trajtojnë si të pavetëdijshëm, të na indoktojnë një neveri të qëllimshme  ndaj njëri tjetrit , në mënyrë që të mos merremi kurrë me ta.

Kanë mbetur pa strategjinë e zakonshme me të cilën zakonisht na shtypin  sepse në sheshe, në Tiranë, Vlorë, Korçë, kudo, janë mbledhur njerëz që po tregojnë se dëshpërimi nuk është gjendje shpirtërore në ketë vend , por pasojë e keqqeverisjes edhe mungesës së alternativës politike.

Janë kapur të papërgatitur, sepse kjo protestë është ndryshe. Në sheshe janë ato që guxojnë të flasin me zë të lartë, janë ata që nuk kanë nevojë për protagonizëm, janë ata që nuk veprojnë të drejtuar nga ambicia për të qenë të dukshëm në vijën e parë, por  që me durim presin radhën për të folur. Janë  ata që vendosën të bëheshin të zhurmshëm pikërisht në momentin kur shpresat po shuheshin  dhe heshtja impononte nënshtrim.

Ndaj në ato sheshe çdo fjalë ka rëndësi,  çdo koment publik. Arritja më e madhe e kësaj proteste  është pikërisht – shndërrimi i dhimbjes në akt të vërtet publik, qytetar e civil.

Akti publik që po ndodh shesheve të këtij vendi, ka zhvlerësuar vullnetin e kalbur politik ,  ndaj  po shpenzojnë para, po përdorin çdo mendje djallëzore pa shtyllë kurrizore duke zuzatur si miza pa kokë televizioneve , për të  na penguar që ta shohim të vërtetën .

Po kërkojnë me qiri në tokë e në qiell , majtas e djathtas , jashtë e brenda  organizatorin se janë mësuar të mblidhen rreth individit, rreth interesave personale, të gjejnë lugën edhe përsheshin, sepse kurrë nuk kanë mundur ta shohin botën përtej interesave të tyre të ngushta…..

Janë në hall se njerëzit që i duan këto toka janë një elektorat me të cilin nuk mund të debatohet. Nuk janë militantët e sëmurë. Janë ata që e dinë mirë që tokën e trashëguar ua kemi borxh fëmijëve tanë.

 Numërojnë, etiketojnë, po kërkojnë me çdo kusht  dështimin sepse në shesh është mendja, shpirti i  shumicës dërrmuese që është kundër tyre.

Kanë kuptuar më në fund se nuk jemi të pazot, të mblidhemi rreth njëri tjetrit, rreth të ardhmes së fëmijëve tanë.