‘Rama i quajti protestuesit të marrë’, Këlliçi: Kryeministrin e ka kapur paniku nga revolta qytetare

Deputeti i PD, Belind Këlliçi, në një reagim në rrjetet e tij sociale është shprehur se retorika dhe deklaratat e Edi Ramës po tregojnë gjithnjë e më qartë luhatjet dhe kontradiktat e një qeverisjeje në krizë.

Këlliçi e lidh reagimin e tij me monologun e sotëm të kryeministrit, të cilin e cilëson pjesë të propagandës që përbuzet nga qytetarët dhe larg çdo forme transparence, duke theksuar se Rama po kalon nga një qëndrim në tjetrin brenda pak ditësh, në raport me protestat dhe qytetarët.

Sipas tij, një ditë protestuesit i quan votues dhe miq të tij, ndërsa pak ditë më vonë i etiketon ndryshe, çka Këlliçi e konsideron si dëshmi të nervozizmit dhe pasigurisë së kryeministrit përballë situatës politike.

Ai akuzon gjithashtu qeverinë për propagandë dhe për përpjekje për të deformuar realitetin, duke pretenduar se protestat po paraqiten si të nxitura nga interesa të huaja, ndërkohë që sipas tij bëhet fjalë për një reagim qytetar kundër korrupsionit dhe arrogancës qeverisëse.

Postimi:

Ditën e parë ishin votuesit e tij, pas një jave janë të marrë!

Monogolu i sotëm i Edi Ramës, pjesë e propagandës që përbuzet masivisht, që është dërdëllitje dhe e kundërta e transparencës, konfirmoi edhe një herë pozitën e rëndë ku gjendet kryeministri mes luhatjeve, kontradiktave dhe mashtrimit.

Bën predikim për diçka, kur në realitet ka zbatuar të kundërtën. Edi Rama pretendon se me ardhjen e tij në pushtet po mbrohen zonat dhe pasuritë natyrore. Në fakt, ato po mbrohen prej qytetarëve, po bëhen të paprekshme nga qytetarët të cilëve po u ndalohet aksesi, dhe në realitet janë në dispozicion të Edi Ramës dhe oligarkëve të tij.

Takimi me banorët e Zvërnecit nuk ishte aspak siç e paraqiti sot. Banorët atje, e vunë Edi Ramën nën akuzë se ai po ndërmerrte investime pa i pyetur ata, pa konsideruar të drejtat e tyre të shkelura.

Ditën e parë i quajti protestuesit si miq të tij, si votues të tij.

Pas një jave i shpalli të marrë. Nuk janë ata që kanë ndryshuar. Eshtë luhajtja e një Kryeministri nervoz që po i lëkundet pushteti.

Dhe mashtrimi më i madh që po përpiqet të mbajë gjallë, me gjithë levat e tij, (dje përshembull agjenti Taulant kishte zbuluar serbë në makinën ku ishin gazetarë të Reuters), është se kjo lëvizje qenka agjendë për të dëmtuar turizmin dhe Shqipërinë që është halë në sytë e fqinjëve dhe planetit mbarë me përparimet e rilindjes.

Sheshet në Shqipëri, në qytetet më të rëndësishme të Europës dhe me majën e tyre në Tiranë, po shpërthejnë kundër korrupsionit, arrogancës dhe lidhjeve me krimin, në 13 vite të Edi Ramës.

Kjo nuk është një lëvizje ambjentaliste.

Është zgjimi i një kombi të sunduar e të tallur në një dekadë e gjysëm. Sa më shumë ta injorojë kërkesën për dorëheqje që është bërë himni i ditës, aq më i dhimbshëm do jetë largimi për të.