Loja e rrezikshme e Ramës për t’i vënë shqiptarët kundër njëri-tjetrit: Banorët e Zvërnecit më thanë…

Në monologun e tij propagandistik të së dielës, Edi Rama jo vetëm që nuk duket se ka ndërmend të dëgjojë shqiptarët që janë ngritur në këmbë brenda dhe jashtë vendit kundër tij, por po tenton t’i kundërvërë ata përballë njëri-tjetrit.

Kjo lojë e rrezikshme është e dukshme që me nisjen e antimitingut në Vlorë dhe te përmendja sot e atij takimi propagandistik, manipulues dhe, për më tepër, një takim ku banorët e Zvërnecit, edhe pse ishin të përzgjedhur, përsëri nuk u lejuan të flasin; madje shumë prej tyre u fyen e u përqeshën nga kryeministri.

“Aty takova njerëz që u fyen, u masakruan nga ‘flamingot online’ si njerëz të mbledhur me zor”, – është shprehur Rama në monologun e tij, ku duket qartë tendenca për të futur përçarje mes njerëzve.

Në asnjë thirrje apo pankartë të protestuesve nuk ka pasur akuza apo fyerje ndaj banorëve të Zvërnecit; përkundrazi, revolta është ngritur pikërisht për abuzimin që pushteti arrogant i Ramës ka bërë ndër vite me pronat e tyre.

Manipulimi i Ramës arrin kulmin kur thotë se banorët e Zvërnecit më kërkuan me ngulm: “Dhe ajo që bëri më shumë përshtypje ishte se, pavarësisht pyetjeve, shqetësimeve, kërkesave që kishin, në asnjë moment nuk dëgjova prej tyre të vihej në diskutim vetë ideja që ky investim duhet të ndalet. Madje, përkundrazi, ndjeva shqetësim edhe më pas kur dolëm; ndjeva shqetësim që: ‘Aman, mos ndalet, aman, mos ta humbasim këtë gjë’”, – është shprehur Rama.

Pjesë nga monologu i rrezikshëm përçarës i Ramës:

“Këtë javë shkova dhe takova banorët e zonës së Zvërnecit, në një takim që, për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, është i postuar në faqen time. Vlen shumë më tepër se çdo ulërimë, çdo zhurmë, çdo kuje, çdo shqetësim, manipulim, falsifikim apo spekulim nga çorba e ditëve të fundit.

Aty takova njerëz që u fyen, u masakruan nga flamingot online si njerëz të mbledhur me zor, si njerëz të mbledhur kokërr më kokërr, si njerëz që nuk përfaqësonin komunitetin etj., ndërkohë që ata janë njerëzit që jetojnë në atë zonë. Ajo zonë nuk është një zonë e mbipopulluar.

Ajo është një zonë ku ata njerëz që kanë interesa aty, që punojnë aty, që i pretendojnë pronat e tyre aty, madje aty ku do të zhvillohet projekti, që mbajnë familjet e tyre nga aktivitetet e vogla aty, nga shërbimet dhe nga puna e përditshme aty, janë ata.

Nuk vajta të takoj njerëz të mbledhur nga Narta poshtë apo nga Vlora lart. Vajta të takoj ata që janë aty, pikërisht ata që e kanë interesin e drejtpërdrejtë, qoftë për të drejtën e pronës, qoftë për të drejtën që të dëgjohen, qoftë për të drejtën që të jenë pjesëmarrës në këtë proces, qoftë edhe për të drejtën që të zhvillohen. Okay?

Dhe ajo që dëgjova prej tyre natyrisht nuk ishte një surprizë për mua. Ishte krejt ndryshe nga ajo që dëgjohet çdo ditë. Ishte një bisedë për shqetësimet konkrete, për problematikat konkrete, për mënyrën se si adresohet një pretendim, një pronë e kthyer dhe e regjistruar, por që, në rast se kthimi dhe regjistrimi janë bërë në mënyrë të parregullt, ka gjykatë, ka një proces dhe në fund gjithçka ishte pozitive mes njerëzish që diskutojnë si njerëz, mes njerëzish që nuk i qepen njëri-tjetrit me gurë në trastë. Okay?

Dhe ajo që bëri më shumë përshtypje ishte se, pavarësisht pyetjeve, shqetësimeve, kërkesave që kishin, në asnjë moment nuk dëgjova prej tyre të vihej në diskutim vetë ideja që ky investim duhet të ndalet. Madje, përkundrazi, ndjeva shqetësim edhe më pas kur dolëm; ndjeva shqetësim që: ‘Aman, mos ndalet, aman, mos ta humbasim këtë gjë’.”