KQZ: Vazhdon procesi, deri në 09:30 kanë votuar mbi 59 mijë qytetarë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në vend, nërsa deri në ora 09:30 kanë votuar rreth 3 për qind e votuesve ose mbi 59 mijë qytetarë.

Sipas KQZ-së, në orët e hershme të mëngjesit materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha Qendrat e Votimit në Republikën e Kosovës, duke mundësuar fillimin e rregullt të procesitzgjedhor.

Sot, votimi po zhvillohet në 949 Qendra të Votimit me gjithsej 2,550 vendvotime. Prej tyre, 911 qendra me 2,498 vendvotime janë për votim të rregullt, ndërsa 38 qendra (nga një në secilën komunë) me 52 vendvotime janë të dedikuara për votim me kusht.

Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto zgjedhje është 1,959,962, të shpërndarë në 38 komuna.

KQZ ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët me të drejtë vote ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në votime.

Në këto zgjedhje janë certifikuar 21 subjekte politike, prej të cilave 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Në total, garojnë 902 kandidatë, prej të cilëve 593 janë burra dhe 309 gra.

Po ashtu, KQZ ka bërë të ditur se përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org qytetarët mund të kontrollojnë qendrën e tyre të votimit.

Në kuadër të menaxhimit të procesit zgjedhor, është funksionalizuar edhe dhoma operative, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të KQZ-së, Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, e cila monitoron zhvillimet gjatë ditës dhe koordinon trajtimin e çdo raportimi.

KQZ njofton se konferenca e radhës do të mbahet në orën 11:30, ku do të prezantohet pjesëmarrja e qytetarëve deri në orën 11:00 dhe ecuria e procesit zgjedhor. Para kësaj, në orën 09:00, do të publikohen të dhënat e pjesëmarrjes për dy orët e para të votimit./ RTK.