Kurti: Sa më shumë votues, aq më i madh legjitimiteti

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, pasi ushtroi të drejtën e votës në objektin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje.

“Sot vendosin ata që votojnë, prandaj edhe u bëj thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, ta përdorin mundësinë qytetare të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Republikës në legjislaturën e 11-të”, deklaroi Kurti.

Ai tha se para se të nisej për në vendvotim, kishte verifikuar në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vendvotimin e tij dhe u sugjeroi qytetarëve që të bëjnë të njëjtën gjë.

“Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe aq më solid stabiliteti i tyre”, u shpreh Kurti.

Ai e cilësoi ditën e zgjedhjeve si të rëndësishme për institucionet e Republikës së Kosovës, për qeverisjen në vazhdim dhe për mbarëvajtjen e vendit./ RTK.