Diktatori i flamingove nuk mund të ndalojë fluturimin e lirë të shqiponjave

Protesta qytetare e njerëzve të lirë në Shqipëri është një protestë thellësisht politike, kundër një regjimi autoritar, arrogant, kleptokratik në përdorimin e aseteve kombëtare dhe pronës publike, i lidhur me krimin e organizuar dhe peng i tyre, një regjim që manipulon zgjedhjet dhe ka mbyllur perspektivën e një brezi të ri që kërkon të jetojë me dinjitet si qytetar perëndimor.

Ajo s’ka të bëjë më mbrojtjen e ekosistemeve ambientaliste, klimës apo investimeve të huaja në Shqipëri. Ajo ka të bëjë më revoltën qytetare ndaj kapjes së shtetit, rrënimit të demokracisë, hajdutërinë dhe korrupsionin pa limit, funksionimin e narko-shtetit dhe rrezikimin e të ardhmes europiane.

Ajo ka të bëjë me urrejtjen ndaj një regjimi që të baltos me propagandë dhe dhunë, të largon në masë nga atdheu yt për ta kthyer Shqipërinë në një tokë rentiere, ku fituesit e vetëm mbeten autokrati bashkë me klientët e tij dhe sheikët arabë. “Shqipëria nuk është për shitje” është deviza e këtij revolucioni kundër arrogancës së një regjimi që po shkatërron të ardhmen e popullit të tij.

“Revolucioni i flamingove”, që bota perëndimore kërkon ta përcaktojë, është një term i bukur për të argumentuar luftën ideologjike midis liberalëve dhe konservatorëve, autokratëve dhe sipërmarrjes së lirë, autokracisë përballë demokracisë. Flamingot shqiptare luftojnë për ekzistencë në varfërinë e tyre ekstreme, në pamundësinë për të jetuar me dinjitet ku i vetmi vizion i ofruar nga regjimi është ose të bëhen pastrues të turizmit elitar ose të ikin nga Shqipëria. Revolucioni qytetar Shqiptar është shpresë, frymëzim për ndryshimin dhe rikthimin e të ardhmes demokratike.

I.          Zanafilla e revolucionit

Lëvizja qytetare shpërtheu se korrupsioni dhe hajdutëria ishte ngritur në system. Skandali i Portit të Durrësit dhe afera korruptive me Alabar, vjedhjet qindra milionëshe me PPP-të, afera korruptive me AKSH-in, investimet korruptive në energjinë diellore, kontrolli policor ndaj qytetarëve me projektet ‘smart city’ me Emiratet e Bashkuara Arabe, betonizimi dhe pastrimi i parave, dhuna ndaj opozitës dhe kontrolli i drejtësisë, bënë që urrejtja ndaj regjimit të arrinte pikën kritike. Kritikat e forta të vendeve europiane për mos respektimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri ngritën alarmin tek opinioni publik se perspektiva europiane e tyre ishte në rrezik. Fillimi i bashkëpunimit të ri me Vucic ngriti shqetësimin se Rama po kthehej në skenarët e vjetër anti-kombëtarë, duke mbetur peng i kërkesave të krimit të organizuar që integrimin europian e shikonte si pengesë. Rrjetet sociale, të pakontrolluara nga regjimi, kishin kohë që vlonin me kritika dhe urrejtje kundër këtij sekti. Shumë ditë përpara ngjarjeve dhe dhunës në Zvërnec të Vlorës, opinioni po shpërthente në rrjete sociale për një zgjidhje ndaj regjimit. Ramës nuk i kishte mbetur gjë tjetër vetëm të kanalizonte zemërimin popullor (ose ja kanalizuan atë të tjerët) në një investim të turizmit ku ishte pjesë edhe familja e Presidentit Trump. Duke e politizuar çështjen, duke inskenuar ngjarje që nxisin urrejtje ndaj Izraelit, regjimit i lindte e drejta të kërkonte mbrojtje ndaj “armiqve” potencialë që kërkonin të destabilizonin Shqipërinë. Nga subkoshienca e tij Rama shpjegoi edhe filmin “Wag the dog” sesi inskenohen ngjarje të tilla. Protesta në Zvërnec, ku dhuna e kompanisë së sigurisë ishte jo-proporcionale dhe e panevojshme, kur demonstruesit nuk kishin cfarë të prishnin vetëm se të shkelnin rërën apo indiferenca e policisë së shtetit që nuk mori asnjë masë, për shumë kritikë të regjimit shikohet si veprim që i shërbente regjimit. Ajo që nuk parashikoi dot Rama ishte shpërthimi i revoltës popullore që edhe një provokim i vogël do ta nxirrte në rrugë. Nuk ishte mbrojtja e flamingos së Zvërnecit as Jared Kushner, por është Rama objekti i revolucionit.

II.        Gjithmonë klientelist, gjithmonë i përdorur 

Shpërthimi i revoltës popullore në Shqipëri ju dha shkak shumë forcave të tjera, kritike me politikën klienteliste të Ramës për të goditur dhe ngritur politikat e tyre. Demokratët amerikanë dhe Alex Soros për të goditur familjen Trump përpara zgjedhjeve të mes-mandatit të Kongresit Amerikan, organizatat pro-turke për tu hakmarrë ndaj vasalit të Presidentit Erdogan për dashurinë e re me Izraelin, serbët nacionalistë të Vucic për të treguar se revolucionet rinore nuk janë vetëm në Serbi por edhe në Shqipëri dhe po destabilizojnë rajonin, nacionalistët grekë për të ngritur të drejtat për pronat e minoritetit grek, etj.

Që do të përdorej prapë Rama nga demokratët amerikanë, kjo nuk kishte asnjë dyshim. Një aventurier politik që ju vetë-ofrua fushatës presidenciale të Hillari Klinton në vitin 2016 duke e etiketuar Presidentin Trump si ‘turpi i civilizimit’, apo spektakli i tij me Macron që tallej me Presidentin Trump për konfliktin Armeni-Azerbaijan, apo thirrja në Romë që europianët duhet të vendosin vetë për konfliktin në Ukrainë pa ndihmën e amerikanëve, e bënte atë një kandidat ideal për ta përdorur në politikën e brendshme amerikane. Për më tepër që kësaj radhe ai ishte personazhi që jo vetëm kishte korruptuar McGonigal si kreun e kundërzbulimit të FBI, por e kishte futur familjen Trump në një aferë me prona të zotëruara nga elementë të lidhur me krimin e organizuar. I trembur se ka kaluar çdo cak, Rama kërkon të mbrojë me çdo kusht investimin dhe Kushnerin, se ka frikë që është i zbuluar në çështjen e Sinaloas, për të cilën administrata Trump është shprehur qartë. Kjo tregon nervozizmin dhe humbjen e ekuilibrit në intervistën në CNN, ku licencat për kazino të Sinaloas i qëndrojnë si gijotinë në qafë.

III.       Kush kërkon të influencojë revolucionin rinor në Shqipëri

Revolucioni qytetar sot është një domosdoshmëri për të shpëtuar Shqipërinë nga një regjim korruptiv që ka vendosur autokracinë. Misioni i tyre mbetet fisnik se përfaqëson rininë dhe qytetarin e lirë që mbrojnë interesat e republikës së tyre. Opozita Shqiptare ka bërë një punë të jashtëzakonshme për evidentimin e kësaj problematike për vite me radhë, por regjimi i korruptuar dhe klientelist i Ramës ka mbijetuar nga blerja e influencës dhe kthimi i Shqipërisë në një gropë septike për gjithë punët e pista të Europës.

Ishte pak e çuditshme që në ditët e para të protestës qytetarët të barazonin pushtetin me opozitën, kur dihet që lëvizjet popullore janë pa kufizim dhe kërkojnë pjesëmarrje të gjerë për të realizuar qëllimet e tyre. Për më tepër që rikthimi i demokracisë duhet të bazohet në vlera dhe parime të mirëpërcaktuara, në të drejtën e votës dhe zgjedhjes së lirë, funksionimit të balancave të pushtetit dhe një drejtësie të papolitizuar.

Shembulli i qytetarit Kolë, vërtetë një patriot për tu lavdëruar për qëndrueshmërinë e tij, por thirrjet e tij për burg nuk mund ta kthejnë Shqipërinë në kohën e aventurierëve politikë që merrnin një sopatë në dorë për “të shpëtuar Shqipërinë”, dhe sollën si rezultat diktaturën që kemi sot.

Sot e rëndësishme është që Shqipërisë ti rikthehen institucionet dhe ndërtimi i një kontrate të re sociale me qytetarin, ku ai të ketë të drejta të plota për ta mbrojtur atë. Skena politike nuk spastrohet as për ti hapur rrugë ndonjë partie të sponsorizuar, as nga kërkesat e ndonjë burokrati perëndimor që kërkon ndryshim në favor të një “afrikani” me pendë që kërkon ta komandojë nga Berlini. Ringritja e Shqipërisë duhet të bazohet në meritokraci, në kontribute dhe mbi të gjitha në ushtrimin e lirë të së drejtës së votës. Sot rinia shqiptare është aq e zgjuar dhe e aftë sa të zgjedhë vetë përfaqësuesit e saj. Shpartalloni autokracinë, shporrni diktatorin, krijoni mundësi të barabarta për të gjithë, votoni të lirë.

Në vend të përfundimit

Lëvizja qytetare shqiptare është frymëzim i ripërtëritjes së kombit, i mbrojtjes së interesave të vendit dhe zgjimit të idealeve të ’90-s “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Të gjithë duhet ta ndihmojmë deri në rrëzimin e diktatorit që po shkatërron Shqipërinë.

Shqipëria nuk është për shitje, ajo është e jona.