Analiza/ Kosova voton: Çfarë është realisht në lojë?
Në kutitë e votimit sërish.
Qytetarët e Kosovës do të përpiqen sot t’i japin drejtim një krize që, sipas vëzhguesve, buron nga ambicia për kontroll të plotë të pushtetit dhe mungesa e gatishmërisë për kompromis. Dalja prej saj tani është e kufizuar në vetëm pak skenarë.
Zgjedhjet e sotme janë të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor.
Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave - shumicën më të madhe në Kosovën shtet - nuk sollën marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo çoi automatikisht në shpërndarjen e Kuvendit mesnatën e 28 prillit - vetëm dy muaj e gjysmë pas konstituimit të tij - dhe dy ditë më vonë ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shpalli zgjedhjet e reja.
“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 7 qershor”, deklaroi Haxhiu më 30 prill.
Për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, shpërndarja e legjislaturës së dhjetë ishte “mjerim politik”, i shkaktuar nga partitë deri atëherë në opozitë, të cilat i akuzoi për mungesë bashkëpunimi dhe bojkotim të qëllimshëm të seancave për zgjedhjen e presidentit.
“Kjo opozitë mund të sjellë ndonjë fytyrë të re, por zanatin dhe karakterin e ka të vjetër, prandaj edhe është në rënie të lirë, është duke rënë vazhdimisht nëpër ciklet elektorale”, tha Kurti.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 22 mandate deputetësh, 35 më pak se Lëvizja Vetëvendosje me 57, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 15, pesë më pak se në zgjedhjet e shkurtit, dhe të tjerat më pak.
Këto parti e mirëpritën shkuarjen në zgjedhje të reja, edhe pse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ato u imponuan nga pushteti, i cili, me shumicën prej 51%, kërkoi “nënshtrim” politik.
“Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë...”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në garën e 7 qershorit marrin pjesë 22 parti politike dhe tri koalicione parazgjedhore.
Lëvizja Vetëvendosje hyn në zgjedhje në koalicion me tri subjekte të vogla - Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane - ndërsa tri partitë kryesore opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, garojnë të vetme.
Njësoj e vetme garon edhe Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Pjesë e kësaj gare është edhe ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila i prin listës për deputetë të LDK-së, partisë ku ishte pjesë përpara mandatit presidencial.
Të drejtë vote, sipas listës së votuesve të miratuar nga KQZ-ja, kanë rreth dy milionë qytetarë, përfshirë diasporën. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit votuan rreth 900 mijë prej tyre, ose rreth 45 për qind e elektoratit.
Për organizimin e këtij procesi, Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi kërkesën e KQZ-së për ndarjen e rreth 10.9 milionë eurove. Për krahasim, zgjedhjet e dhjetorit kishin një buxhet të planifikuar prej 11.5 milionë eurosh, ndërsa shpenzimet reale, sipas raporteve të KQZ-së, arritën në rreth 7.4 milionë.
Edhe kësaj radhe, procesi monitorohet nga mijëra vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Haxhiu, shkroi në letrën dërguar udhëheqësve evropianë se “prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira”.
Ndonëse pajtohen për zgjedhje të organizuara vazhdimisht mirë, vëzhguesit e zhvillimeve politike në Kosovë thonë se ky cikël vetëm për rotacion pushteti nuk është, por për drejtimin që do të marrë vetë shteti: përqendrim më i madh i pushtetit të një partie, model konsensual ose vazhdim i bllokadës.
Agon Maliqi e përkufizon qartë dilemën: mes “liderit të fortë” dhe kompromisit të detyruar.
Ai paralajmëron se Kosova rrezikon të rrëshqasë drejt një modeli si në Shqipëri apo në Serbi, ku pushteti përqendrohet te një lider që kontrollon gjithçka, përballë alternativës së një sistemi që imponon bashkëpunim dhe ruan balancat demokratike.
“Personalisht, besoj se do të duhej një rezultat më i përafërt me atë të zgjedhjeve të shkurtit, i cili imponon konesnsus jo vetëm për presidentin, por edhe për qeverinë, sepse sistemin politik e kemi të tillë - ai e bën të vështirë ose të pamundur që një parti të kontrollojë gjithçka”, thotë Maliqi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Sistemi politik në Kosovë është i ndërtuar në atë mënyrë që për një sërë vendimesh të rëndësishme, si zgjedhja e presidentit, kërkohet shumica prej dy të tretash në Kuvend. Kjo obligon bashkëpunim ndërpartiak dhe marrëveshje politike.
Por, sipas Maliqit, problemi qëndron tek aktorët politikë, të cilët shpesh synojnë më shumë pushtet sesa u jep mandati elektoral.
Në analizën e tij, ai vlerëson se situata aktuale i krijon komoditet Qeverisë në detyrë, pasi funksionon me më pak mbikëqyrje dhe më shumë hapësirë për justifikime.
Kjo gjendje, sipas tij, mund të shfrytëzohet edhe për të shtyrë marrjen e vendimeve të vështira, përfshirë ato që lidhen me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në të njëjtën frymë kritike, edhe Artan Muhaxhiri argumenton se situata është produkt i një “klase politike të papërgjegjshme”, e cila, siç thotë, vepron në shpërputhje me nevojat e qytetarëve.
Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te shpeshtësia e zgjedhjeve, por edhe te mungesa e kulturës së kompromisit dhe funksionalitetit institucional.
“… sepse, përmendet shpesh Belgjika apo ndonjë rast tjetër ku ka pasur zgjedhje të njëpasnjëshme, mirëpo ato kanë sisteme institucionale e sociopolitike që e kanë një trajektore të paracaktuar, kanë qëndrueshmëri dhe nuk varen në çdo gjë nga politika, siç është rasti me Kosovën”, thotë Muhaxhiri për Exposenë.
Me një popullsi prej rreth 1.6 milion banorësh dhe e vlerësuar si vendet më të varfra në Evropë, Kosova është veçanërisht e ndjeshme ndaj pasojave të paqëndrueshmërisë politike.
Të dy vëzhguesit paralajmërojnë rritje të mosbesimit qytetar dhe zhgënjimit institucional, ndërsa BE-ja alarmon për humbje të mëtejshme të kohës dhe fondeve.
Një raport i Parlamentit Evropian, i miratuar këtë javë, e përshkruan vitin 2025 si të humbur për Kosovën, me rrezik që stagnimi të vazhdojë edhe më 2026. Kjo, sipas raportit, mund të vërë në pikëpyetje përfitimin e miliona eurove nga Plani i Rritjes dhe fondet e BE-së për Ballkanin Perëndimor.
“BE-ja nuk mund t’ia bëjë detyrat e shtëpisë Kosovës” - ishte mesazhi që presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, u dha udhëheqësve kosovarë gjatë një vizite në Prishtinë më 3 qershor.
“Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabile dhe funksionale, të afta për të zbatuar reformat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që ofron BE-ja”, tha ai.
Në raportet me partnerët ndërkombëtarë, Muhaxhiri e cilëson sinjalin që dërgon Kosova si “katastrofal për stabilitetin” - me pasoja konkrete në investime dhe mbështetje.
“Asnjë zhvillim i madh gjeopolitik i Kosovës nuk mund të bëhet pa përkrahjen e Uashingtonit edhe të Brukselit. Është jashtëzakonisht zhgënjyese që politikanët tanë nuk e kanë vetëdijen e mjaftueshme politike që t’i shohin të gjitha këto dëme që ia kanë shkaktuar Kosovës, sepse do të duhet shumë kohë që të kthehemi në pikën ku kemi qenë para bllokadës”, thotë ai.
Maliqi shkon edhe më larg, duke paralajmëruar se Kosova po ngec në një lloj limboje në raport me integrimet evropiane, së bashku me vende si Bosnja, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria ecin përpara.
Ndryshe prej tyre, Kosova është edhe e vetmja që nuk ka status kandidati për anëtarësim në BE.
“Kostot e kësaj do të shihen më vonë, pra kostot e mungesës së një raporti produktiv me vendet e BE-së, kostot e mungesës së përfshirjes në projekte të ndryshme ekonomike, sidomos ato amerikane. Ka pasur një vazhdimësi në fushën e mbrojtjes nga ana e SHBA-së, që nuk është ndërprerë pothuajse asnjëherë, por në fusha të tjera - politike, ekonomike - ka ngecje”, thotë Maliqi.
BE-ja dhe SHBA-ja kanë reaguar disa herë ndaj bllokadave në Kosovë, duke kërkuar formimin e institucioneve dhe daljen nga ngërçi, por pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë.
Muhaxhiri vlerëson se arritja e marrëveshjes për institucionet, pa trysninë e ndërkombëtarëve, do të jetë e vështirë.
Ai thotë se vetëm presioni nga Brukseli dhe Uashingtoni, përmes paralajmërimeve për pasojat e bllokimit politik, mund t’i shtyjë palët drejt kompromisit - përndryshe vendi rrezikon të mbetet në të njëjtin cikël ngërçi pa rezultate konkrete.
“Edhe në të kaluarën ka pasur bllokada. Ka qenë, për shembull, ai hendeku i madh mes PDK-së dhe LDK-së, por me përkrahjen ndërkombëtare, me trysninë ndërkombëtare, ka arritur të tejkalohet”, kujton ai.
Në retorikën publike, udhëheqësit politikë në Kosovë janë shprehur shpesh të vetëdijshëm për këto pasoja.
“Qytetarët nga ne presin bashkim, kur bëhet fjalë për interesat e vendit, presin institucione stabile dhe jo të kundërtën. Po vonohemi në shumë reforma, pa asnjë nevojë”, ka thënë Haxhiu.
Por, kjo nuk është reflektuar në veprim... dhe për analistët, kjo e bën krizën kryesisht të prodhuar dhe të riprodhuar nga vetë elitat politike, përmes kokëfortësisë që kanë në qëndrime.
Ndaj, në fund, pyetja nuk është vetëm kush fiton, por nëse pas 7 qershorit Kosova do të jetë në gjendje të qeveriset.
Një element që lë hapësirë për optimizëm është fakti se, ndonëse fushata zgjedhore është shoqëruar me gjuhë të polarizuar, nuk ka pasur retorikë të vijave të kuqe që do ta pamundësonte bashkëpunimin paszgjedhor./ REL.